18.07.2018

Albin Tahiri garon me 13 shkurt

11 Shkurt 2018

Është shtyrë gara në disiplinën lëshim i shpejtë, ku ishte paraparë të garonte skitari Albin Tahiri në Lojërat Olimpike Dimërore (LOD) PyeongChang2018.

Shkak për shtyrjen janë bërë erërat e forta të cilat po mbretërojnë në Qendrën Skitare Jangseon, rreth 40 km larg PyeongChangut të Koresë së Jugut, bën të ditur KOK-u përmes një komunikate për media.

Tahiri thotë se e kishte pritur që gara do të shtyhej. “Në një farë forme e kam pritur se mund të shtyhet për shkak të erërave të forta, por unë isha i përgatitur për sot. Ne ishim atje bashkë me trajnerin dhe ishim gati, por organizatori na njoftoi se nuk ekzistojnë kushtet për t’u mbajtur gara. Nesër do të përgatitem për garën e së martës në kombinim alpik”, tha Albin Tahiri për ueb-faqen zyrtare të KOK-ut, “noc-kosovo.org”.

Sipas organizatorëve, gara e sotme do të mbahet më 15 shkurt, kurse gara e 15 shkurtit e paraparë të mbahej në super sllallom të madh është shtyrë për më 16 shkurt.

KOK-u thotë se nëse kushtet janë të volitshme, atëherë Albini debutimin do ta bëjë të martën (13 shkurt) në disiplinën e kombinimit alpik.