30.04.2017

Vendimi për mbylljen e Jugohromit, i mirëpritur

2 Nëntor 2016

Nga Afrim Osmani

Kombinati Jugohrom vite me radhë është duke ndotur qytetin e Tetovës dhe Pollogun në përgjithësi. Për të kundërshtuar këtë shkatërrim ekologjik dhe helmim masovik, ka pasur ngritje të zërit të qytetarëve, protesta, demonstrata dhe iniciativa të shumta, me një qëllim të vetëm, për t’i thënë boll më, stop mbytjes së popullatës së Tetovës. 

Për fat të keq, edhe përskaj reagimeve të këtilla të shumta, zëri i qytetarëve nuk dëgjohej mjaftueshëm, madje edhe injorohej nga ana e udhëheqësisë së Jugohromit, gjigantit metalurgjik, gjigant në prodhim, por gjigant edhe në ndotje. Sipas statistikave të deritanishme lidhur me ndotjen e ajrit dhe ambientit jetësor në përgjithësi, Jugohromi merr pjesë me mbi 40% të ndotjes. Ky mega-ndotës e ka radhitur qytetin e Tetovës në mesin e qyteteve më të ndotura në Evropë, ndërsa ndër 10 qytetet e para më të ndotura në botë. Shpesh herë në stinën e dimrit, matësi i ndotjes tejkalonte kufirin, gjegjësisht shumë lehtë arrinte 1000 mikro gram grimca PM10 për një metër kub, duke mos ndjerë për këtë askush asnjëfarë përgjegjësie. Arsyeja e mosveprimit të drejtuesve të Jugohromit, ishte se, po që se ndërpritet puna e këtij kombinati, atëherë rreth 1.200 persona do të mbeteshin pa punë, duke mos marrë në konsideratë në këtë mënyrë mbytjen e ngadalshme të rreth 200.000 banorëve të Tetovës, ndotje kjo të cilën e ndjejnë edhe qytetarët e Gostivarit.

Por, kohëve të fundit, falë punës dhe aktivizimit të palodhshëm të ambientalistëve, shoqatave joqeveritare dhe organeve kompetente në vend, dalëngadalë disi po arrihet vetëdija e nevojshme se Jugohromi më nuk mund të funksionojë në këtë mënyrë.

Në këtë drejtim, përshëndes vendimin e marrë nga ana e inspektoratit të ministrisë së mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor për ndërprerjen e punës së ndotësit Jugohrom, për shkak të mosrespektimit të kritereve dhe kushteve të vëna nga ana e qeverisë, sipas të cilave, Jugohromi, ashtu sikur edhe shumë industri tjera, u obliguan që deri më 31 tetor të vitit 2016 t’i përmbushin të gjitha standardet ekologjike gjatë funksionimit të tyre, pra të vendosin filtrat e nevojshëm me qëllim të pengimit të ndotjes së ajrit. Por, fatkeqësisht, ky afat nuk u respektua nga Jugohromi, dhe tani kanë hyrë në fuqi masat përkatëse për pengimin e tij. 

Vendimi i marrë për mbylljen e Jugohromit, derisa t’i përmbush standardet e kërkuara, është i shumëpritur. Ndoshta u morr në një tajming jo të përshtatshëm, në prag të zgjedhjeve parlamentare në Maqedoni, por edhe si i tillë është i mirëpritur. Me të drejtë është thënë: më mirë vonë se kurrë. Më mirë një herë e përgjithmonë të ndërpritet kjo sagë, sesa të vazhdojnë edhe më tej vuajtjet e popullatës së Tetovës (Pollogut).

Nga ky këndvështrim, u bëj apel të gjitha partive politike, të cilat në mënyrë aktive do të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në vend, që rastet e këtilla të mos i (keq)përdorin për politikë ditore, por çështjes së mbrojtjes së ambientit jetësor t’i kushtojnë rëndësi më të madhe edhe para zgjedhjeve, edhe pas zgjedhjeve, me një qëllim të vetëm, që qytetarëve tanë t’u mundësohet të jetojnë në ambient të pastër e të shëndoshë, ashtu edhe siç parasheh kushtetuta e RM-së në nenin 43. 

Mbetemi me shpresë për mbyllje të plotë të Jugohromit, apo së paku për funksionimin e tij duke i respektuar standardet e nevojshme ekologjike.

Prof dr. Afrim Osmani është ambientalist