19.09.2017

Rikonceptimi i rolit të shtetit amë në politikën rajonale

23 Nëntor 2016

Nga Enis Sulstarova

Qëndrimet që ka mbajtur Shqipëria për çështje të rëndësishme në rajon, veçanërisht ndaj Kosovës, shqiptarëve të Maqedonisë dhe vetë Maqedonisë, më së shumti janë diktuar nga ajo që kanë dashur partnerët tanë Europianë. Sulstarova shkruan se në mjaft raste Shqipëria do të duhet të kishte qenë më e qartë dhe jo të pranonte verbtazi rekomandimet.

Republika e Shqipërisë është konsideruar si shteti amë i shqiptarëve në Ballkan. Edhe pse në historinë e saj si shtet i pavarur, Shqipëria nuk ka ndjekur një politikë irredentiste ndaj trojeve etnike përtej kufirit të vitit 1913, ideja e shtetit amë i ka motivuar jo pak lëvizjet çlirimtare në ish-Jugosllavi, të cilat në programet e tyre kishin synimin e bashkimit me Shqipërinë. Diktatori shqiptar, Enver Hoxha, në propagandën drejtuar shqiptarëve jashtë Shqipërisë e përdorte idenë e shtetit amë për të forcuar pozitën e shtetit dhe të regjimit komunist: duhej të kishte vetëm një Shqipëri dhe ajo duhej të ishte socialiste; në rastin e një konflikti midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë, shqiptarët e Jugosllavisë do të ngriheshin në mbrojtje të shtetit shqiptar. Ai e përkrahu verbalisht idenë e Republikës së Kosovës vetëm pasi shpërthyen demonstratat e vitit 1981.

Gjatë dhjetëvjetëshit të parë të tranzicionit paskomunist dhe shpërbërjes së Jugosllavisë, Shqipëria nuk ka qenë në gjendje që të përmbushë shumë prej pritshmërive që kishin shqiptarët e ish-Jugosllavisë prej shtetit amë. Ndihmesa e saj më e rëndësishme ka qenë njohja simbolike (edhe pse jo e plotë) e Republikës së Kosovës të shpallur në vitin 1991 dhe ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Roli i shtetit amë ka qenë i kufizuar nga gjendja e dëshpëruar ekonomike e Shqipërisë së viteve ‘90, lufta e brendshme politike, mbyllja e kufirit me Jugosllavinë millosheviçiane dhe trysnia e diplomacisë ndërkombëtare.

Rolin e shtetit amë e kanë dëmtuar jo pak edhe sjellja amatoreske dhe dëshira për protagonizëm vetjak në diplomaci e udhëheqësve të shtetit. Për aq sa ka pasur ndikim si shtet amë, Shqipëria ka luajtur një rol moderues me faktorin shqiptar në ish-Jugosllavi. Në mënyrë paradoksale, përpjekjen çlirimtare në Kosovë e ka favorizuar më shumë kriza e vitit 1997, kur shteti shqiptar nuk ushtronte kontroll të plotë mbi territorin dhe depot e armatimit. Po kështu, politika bujare e Shqipërisë ndaj IRJM (njohje e menjëhershme, hapje e portit të Durrësit në kohën e bllokadës greke, pranimi i emërtimit kushtetues të shtetit etj.) nuk e zbuti shtypjen sistematike të të drejtave kombëtare të shqiptarëve, derisa situata shpërtheu në luftën e vitit 2001.

Edhe politika e Shqipërisë me Malin e Zi deri vonë nuk ka mbajtur parasysh kërkesat e shqiptarëve në këtë shtet. Për çështjen çame diplomacia shqiptare zbatonte autocensurën, ndërsa pranonte si normale deri edhe pretendimet më absurde greke për pakicën greke në Shqipëri.

E vetëdijshme për kufizimet dhe dobësitë strukturore të shtetit, diplomacia e Shqipërisë vazhdimisht ka bërë thirrje për trysni dhe ndërhyrje ndërkombëtare për përmirësimin e situatës së përgjithshme të shqiptarëve në Kosovë e IRJM. Supozimi i Shqipërisë ka qenë, me të drejtë, se monitorimi perëndimor dhe përfshirja graduale e Ballkanit në organizatat euroatlantike do të sillte edhe siguri më të madhe për shqiptarët dhe përmirësim të situatës së tyre politike e ekonomike në shtetet përkatëse. Mirëpo, një rrjedhojë e varësisë e diplomacisë sonë ndaj asaj perëndimore ka qenë pranimi pa diskutim i formulave të kësaj të fundit për zgjidhjen e çështjes së Kovovës, edhe kur disa formula nuk garantonin sovranitetin e Republikës së Kosovës, të cilën Shqipëria formalisht e kishte njohur (p.sh. “hapësirë demokratike për shqiptarët”, rikthimi i autonomisë, “republikë minus” brenda Jugosllavisë së mbetur, “standardet para statusit” etj). Edhe sot diplomacia shqiptare mbështet pa rezerva marrëveshjet e dialogut Prishtinë-Beograd të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, edhe kur këto cenojnë hapur sovranitetin e Republikës së Kosovës, siç është marrëveshja për krijimin e Zajednicës. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Shqipëria ka lobuar për njohjet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës dhe për anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare. Në lidhje me IRJM, diplomacia e Shqipërisë edhe sot nuk ka lëvizur përtej thirrjes për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, meqenëse ajo ka marrë bekimin ndërkombëtar, paçka se afatet e saj kanë skaduar me kohë, nuk ka ndonjë trysni reale ndërkombëtare mbi IRJM për ta zbatuar marrëveshjen dhe ndër faktorin politik shqiptar në IRJM po fiton terren mendimi se në vetvete kjo marrëveshje është e pamjaftueshme dhe se duhet një kontratë e re midis dy kombeve për shtetin.

Gjatë viteve të fundit është krijuar një perceptim publik se Shqipëria mund të luajë dhe se realisht po luan një rol më aktiv në politikën rajonale dhe në mbrojtje të interesave kombëtarë të shqiptarëve. Nëse dhjetë vite më parë, politika rajonale e Shqipërisë vetëpërkufizohej me formulën absurde “faktor por jo aktor”, tani Shqipëria po pretendon të jetë “model frymëzimi” dhe të marrë rolin e udhëheqësit të Ballkanit Perëndimor në lidhje me integrimet euroatlantike. Me rëndësi është fakti se ministri Bushati politikën rajonale të Shqipërisë e trajton të pashkëputur nga interesat kombëtarë. Në një dokument mbi prioritetet e politikës së jashtme të Shqipërisë, ai shprehet se “të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës do të përbëjnë prioritet konstant të politikës sonë të jashtme në rajon. Ne do të synojmë trajtimin e çështjes çame në përputhje me normat e gjithëpranuara të së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare”. Vullneti për një politikë të jashtme më aktive nga ana e Shqipërisë ka ardhur si pasojë edhe e ndryshimeve në klimën rajonale. Republika e Kosovës është bërë realitet, me gjithë problemet e jashtme dhe të brendshme që po i krijon agresioni i Serbisë, keq-qeverisja dhe korrupsioni. Shtetet e rajonit, përfshirë Serbinë, janë të orientuara nga Perëndimi dhe janë në rrugën e anëtarësimeve në BE dhe NATO. Investimet strategjike ekonomike dhe energjetike ndërkombëtare i kanë detyruar shtetet e rajonit që të bashkëpunojnë më ngushtë me njëri-tjetrin. Komunikimet dhe lidhjet ndërkufitare janë lehtësuar. SHBA-ja mbetet e vëmendshme për sigurinë e rajonit dhe Gjermania po tregon më shumë interes se sa më parë për paqen, stabilitetin politik dhe rritjen e investimeve të saj ekonomike në Ballkan. Greqia, për nga vetë pozita e brendshme, po priret që të ndjekë një politikë më konstruktive me fqinjët. Investimet strategjike dhe ndikimi i Turqisë janë rritur në këtë zonë të gadishullit. Roli i Turqisë nga publiku i shteteve të rajonit perceptohet herë si plotësues e herë si konkurrues i fuqive perëndimore, por nuk ka dyshim se edhe Turqia është e interesuar për një stabilitet afatgjatë të Ballkanit Perëndimor dhe ajo ka përkrahur integrimin e tij në NATO dhe BE.

Në kushte të tilla, ekzistojnë hapësira më të gjera se më parë për një politikë të shtetit amë të Shqipërisë. Roli i shtetit amë Shqipërisë i vjen natyrshëm, nga vetë njësimi kombëtar dhe historia kombëtare e shqiptarëve. Shqipëria rolin e shtetit amë duhet ta shohë jo si diçka fakultative, por si një detyrë dhe përgjegjësi që ia ka ngarkuar historia. Ajo më të lehtë e ka që ta shpërdorojë këtë rol – siç ka ndodhur me politikën që regjimi komunist ka ndjekur ndaj shqiptarëve të Jugosllavisë – se sa ta refuzojë. Diplomati Shaban Murati ka plotësisht të drejtë kur thotë se “ndikimi i Tiranës mbi qendrat e tjera shqiptare do të mbetet dhe ky është rezultat e produkt historik dhe një element në favor të politikës së jashtme të Shqipërisë në rajon për çështjen shqiptare” (Çështja shqiptare pas pavarësisë së Kosovës, Tiranë: Globus R, 2009, f. 58). Prandaj, diplomacia e Shqipërisë mund të flasë me gjuhën e integrimit kombëtar, pa pasur druajtjen se mos akuzohet për irredentizëm a “Shqipëri të Madhe”. Vetë logjika e integrimeve evropiane e favorizon atë të integrimit brendashqiptar. Madje, duke pasur parasysh politikat e shteteve të tjera përreth për të mbështetur bashkëkombasit në shtetet e tjera (p.sh. Rumania, Bullgaria, Hungaria, Greqia, Turqia, Kroacia, Serbia) dhe faktin se kombi shqiptar gjendet i ndarë në më shumë shtete sovrane se asnjëherë më parë, mendojmë se Shqipëria me urgjencë duhet të marrë më shumë përgjegjësi si shtet amë kundrejt shqiptarëve që jetojnë në vende të tjera. Republikës së Shqipërisë (në bashkëpunim strategjik me Republikën e Kosovës) i takon të bëjë atë që pedagogu i filozofisë Elvis Hoxha e quan “kontabilizimi i kombit”, pra vlerësimin e burimeve materiale e njerëzore dhe e potencialeve të zhvillimit që ka kombi shqiptar në tërësinë e tij. Për këtë nevojiten, midis të tjerash, studime dhe bashkëpunime të studiuesve shqiptarë. Në universitete mund të hapen programe të avancuara ndërdisiplinore studimi të çështjeve shqiptare dhe të orientohen studimet e doktoratave drejt njohjes më të mirë të shoqërisë shqiptare përtej kufijve të shtetit.

Shqipëria duhet të forcojë rolin e saj si epiqendër e kulturës dhe e arsimit kombëtar shqiptar. Shkëmbimet kulturore dhe projektet e përbashkëta me institucionet kulturore të Kosovës të nxiten edhe më shumë dhe të mos lihen krejtësisht në dorë të tregut kulturor, i cili është i orientuar më shumë për nga kultura masive. Gjithashtu në Shqipëri duhet bërë më shumë që publiku të njohë më mirë krijimtarinë kulturore të shqiptarëve në Kosovë e në viset e tjera përtej kufirit shtetëror. Njësimi i sistemeve arsimore dhe i teksteve shkollore me Kosovën është i mundshëm të realizohet dhe po kështu mund të realizohen programe të shkëmbimit të studentëve dhe pedagogëve në universitetet shqiptare.

Është pozitiv fakti që politika rajonale e Shqipërisë ka parasysh interesin e shqiptarëve. Ky i fundit duhet të jetë një tregues për të matur suksesin e politikës rajonale, edhe kur kjo e fundit është e sponsorizuar së jashtmi. Kështu, BE-ja mund të nxisë takimet e kryeministrave të Serbisë dhe Shqipërisë dhe këto takime pa dyshim që e përmirësojnë klimën e përgjithshme në rajon dhe imazhin e rajonit te diplomacia ndërkombëtare, mirëpo efektet e tyre duhet t’i ndiejnë edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës. Prestigji i Shqipërisë si shtet amë rritet kur diplomacia e saj nuk është thjesht “zëdhënëse” e diplomacisë perëndimore në rajon, por edhe kur gjen hapësirë për të artikuluar shqetësimet e shqiptarëve. Për ta bërë këtë gjë nuk është e lehtë, sepse në kushtet e demokracisë dhe të konkurrencës politike shpeshherë është e vështirë që ta ndash interesin kombëtar prej interesave partikulariste të forcave politike dhe prej lidhjeve të shkurtra që politikanët kanë me njëri-tjetrin. Gjithsesi, interesi jetik kombëtar mund të përbëhet nga (1) ruajtja e tërësisë territoriale ku shtrihet kombi shqiptar, (2) ruajtja e identitetit dhe vetëdijes kombëtare, (3) krijimi i kushteve të përshtatshme për zhvillim ekonomik-shoqëror dhe (4) liria për të vetëvendosur e për t’u vetëqeverisur. Lidhur me këto synime, Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe institucionet e tjera shtetërore e publike mundet të përpunojnë qëndrime të bazuara në analizën e ekspertëve të saj dhe në pajtim me parimet që formojnë politikën e jashtme të Republikës së Shqipërisë. Një politikë e jashtme parimore dhe e bazuar në interesat jetikë e strategjikë të kombit shqiptar do të rriste autoritetin e Shqipërisë si shtet amë dhe do të ndihmonte në njësimin e qëndrimeve të faktorëve politikë shqiptarë.

Kujdesi i shtetit amë të duhet jetë i prekshëm për shqiptarët përtej kufirit përmes projekteve zhvillimore. Republika e Shqipëria është një vend në zhvillim dhe nuk ka mundësi të mëdha ekonomike. Prandaj, sugjerojmë që Shqipëria të angazhohet me periferitë shqiptare, të evidentojë komunitetet që ndodhen nën trysninë e braktisjes së trojeve të tyre apo të humbjes së identitetit kombëtar dhe të vlerësojë nevojat e tyre më urgjente. Këto bashkësi mund të jenë të veçuara dhe me peshë të vogël demografike e financiare për të mbajtur të vetme institucione publike, prandaj u nevojitet ndihmë nga jashtë. Nuk mjafton vetëm që kufijtë shtetërorë që ndajnë shqiptarët të bëhen të padukshëm, por duhet ndërhyrje, sepse më rrënimtare është ndjesia e të qenit i vetëm dhe i braktisur. Në rend të parë ndodhet Lugina e Preshevës, e cila po shpopullohet nga të rinjtë për shkak të mungesës së perspektivës dhe shtypjes sistematike të Serbisë, por në rrethana urgjente mund të jenë edhe Tuzi, Plava e Gucia, lagjet veriore të qytetit të Mitrovicës, rrethinat e Kumanovës etj. Nevojitet hartimi i strategjive kombëtare për të penguar shpopullimin dhe shkombëtarizimin e trojeve periferike, zbatimi i të cilave të mbikëqyret drejtpërdrejt nga kryeministri i Shqipërisë. Projekte konkrete mund të ndërmerren, si p.sh. ngritja e shkollave të reja, pajisja e atyre ekzistuese me biblioteka e mjete mësimore, ngritja e qendrave mjekësore, dhurimi i makinerive bujqësore, trajnime të mësuesve dhe të profesionistëve të tjerë të bashkësisë etj. Me rëndësi të veçantë është pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e individëve apo e bashkësive nga Shqipëria në këto nisma, si p.sh. binjakëzimi i shkollave, bashkive/komunave, dhomave të tregtisë etj. Ndarja e fondeve publike për këto projekte do t’i japë një rol më të madh kuvendit në mbikëqyrjen e shpenzimeve të tyre dhe do t’i bëjë më substanciale debatet partiake mbi politikën e jashtme.

Bashkëpunimi strategjik me Kosovën duhet të shtrihet në sa më shumë fusha. Me Kosovën nevojitet bashkërendim për qëndrimet që mbahen për shqiptarët në shtetet e tjera, sepse lidhjet e Luginës së Preshevës, shqiptarëve në Mal të Zi dhe atyre në IRJM mbeten të forta me Kosovën. Bashkëpunimi me Kosovën është i domosdoshëm edhe për sa i përket diasporës, përndryshe politika të veçanta të shteteve të origjinës do të mund ta përçanin diasporën në “shqiptare”, “kosovare” apo “maqedonase”. Diaspora shqiptare ka mbajtur gjallë idenë e bashkimit shqiptar dhe ka treguar se në raste të skajshme, siç ishte lufta për pavarësinë e Kosovës, është e gatshme që të japë ndihmesë thelbësore. Hapja e qendrave të kurseve të gjuhës dhe e kulturës shqiptare, të cilat mund të emërtohen “Naimi” për nder të poetit tonë kombëtar, mund të bashkërendohet midis dy shteteve dhe bashkësive të diasporës shqiptare.

Rrjetet e bashkëpunimeve rajonale në Ballkanin Perëndimor janë të mbështetura nga BE-ja dhe NATO, dhe kjo është një garanci e madhe për sigurinë e kombit shqiptar. Mirëpo, duhet të alarmohemi edhe nga ngjarje të tilla si largimi i Britanisë së Madhe nga BE-ja, referendumi i serbëve të Bosnjës, apo nga fakti që agresioni i nëndheshëm i Serbisë në Kosovë po tolerohet nga Brukseli dhe Uashingtoni. Republika e Shqipërisë në politikën e saj rajonale duhet të përkrahë fuqishëm tendencën perëndimorizuese të rajonit, por njëkohësisht të udhëhiqet edhe nga parimi se investimi te kombi është investimi më i sigurt për të ardhmen.

Kumtesë e mbajtur në Forumin “Politika e jashtme shqiptare në këndvështrimin e studiuesve të rinj”, të organizuar nga Qendra e Ekselencës pranë MPJ të Shqipërisë, më 26.9.2016.