23.10.2018

Pse kosovarët me shumicë myslimane festojnë Krishtlindjen?

25 Dhjetor 2017

Nga Aleksandra Hiltmann

Gazetarja zvicerane, Aleksandra Hiltmann, e cila më 24 dhjetor është kthyer nga Prishtina, në një artikull për albinfo.ch shkruan mbi atmosferën e atjeshme festive në prag të Krishtlindjes. Ajo zbulon shkaqet përse në një vend me shumicë myslimane festohet me kaq entuziazëm një festë e krishterë

Një vizitë në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, tregon: Krishtlindja është festë e popullarizuar. Bredhat e Krishtlindjes dhe kurorat zbukurojnë rrugët dhe kafenetë. E çuditshmja në këtë rast është se shumica e popullsisë së Kosovës dhe Prishtinës është myslimane. Si funksionon kjo? Njerëz nga Prishtina dhe rrethina e saj na shpjegojnë përse Krishtlindja është kaq popullore në mesin e myslimanëve.

Kur në Prishtinë errësohet, bulevardi “Nënë Tereza” shkëlqen nga dritat. Vargje të panumërta dritash dhe yjesh vezullues e shndërrojnë shëtitoren në një det të përbërë nga ngjyra e artë dhe ajo e kaltër. Në të dy skajet e bulevardit janë vendosur bredha impozantë të Krishtlindjes, ndërsa në ndonjërin nga sheshet qendrore takohen të rinj dhe të moshuar për të pirë verë të zier. Babadimrat përqafojnë kalimtarët për një fotografi, nga altoparlantët kumbojnë këngë amerikane për Krishtlindjen. Nga tavanet e kafeneve varen topthat dhe telat zbukurues festivë.

Pa frikë nga kontaktet

Thënë shkurt: Në Prishtinë, Krishtlindja është gjithandej. Në të njëjtën kohë, sipas Agjencisë Kosovare të Statistikave, më shumë se 90 për qind të banorëve të Prishtinës janë myslimanë, shprehet gazetarja zvicerane Aleksandra Hiltmann në artikullin e shkruar për albinfo.ch

“Kur ka diçka për të festuar, atëherë do të duhej të festonit secilën herë”, thotë një grua e moshës së mesme në një bar. Si fëmijë, ajo ka këmbëngulur që prindërit t`i blinin një bredh Krishtlindjeje dhe ta zbukuronin atë. “Ne këtu jemi pothuajse të gjithë myslimanë”, thotë ajo dhe shoqet e saj e miratojnë. Ato e konsiderojnë kohën e Krishtlindjes si një mundësi të mirë për t`u takuar me miq, për t`i admiruar dekorimet dhe në këtë e sipër, për të shijuar një pije. “Mund të pish gjithmonë një raki, qoftë për Bajram ose për Krishtlindje”.

Identiteti etnik para atij fetar


Një bisedë me një të ri duke pirë verë të zier, të ofron mundësi për njohuri më të thella rreth qasjes së shqiptarëve myslimanë ndaj Krishtlindjes. “Epo, ka edhe shqiptarë që janë të krishterë”, thotë ai. Për këtë arsye ai konsideron se të gjithë shqiptarët duhet të festojnë së bashku Krishtlindjen, pavarësisht nëse ata janë të krishterë ose myslimanë. Ky qëndrim e pasqyron atë që akademikët dhe analistët tashmë e kanë përshkruar në mënyrë të përsëritur: Në Kosovë, identitetet etnike përbëjnë elementin më të fortë të përkatësisë. Ato kanë përparësi në përballje me identitetin kosovar ose atë religjioz (edhe pse identitetet etnike dhe ato religjioze janë shpesh të lidhura mes vete). “Për mua nuk luan rol nëse je i krishterë ose mysliman, për sa kohë që je shqiptar”, thotë i riu me një gotë vere të zier në dorë.

Krishtlindja serbe ortodokse, më pak popullore


Për pyetjen nëse në Prishtinë festohet edhe Krishtlindja serbe ortodokse, ai ka një përgjigje të qartë: Jo. Ai e sqaron qëndrimin e tij me luftën e vitit 1999 dhe me zhvillimet para saj. Vitet e tetëdhjeta dhe nëntëdhjeta, për popullatën shqiptare kanë qenë të karakterizuara nga shtypja dhe diskriminimi. “Atëbotë nuk shtrohej pyetja nëse do të të rrihnin pa asnjë arsye, por vetëm ku dhe si do të të rrihnin”, tregon i riu.

Amerikanizimi i festave


Një burrë mysliman nga komuniteti rom thotë: “Krishtlindja serbe ortodokse në Prishtinë pothuajse injorohet”. Dy persona që banojnë në një komunë serbe e miratojnë përshtypjen e tij. Të dytë e shohin me skepticizëm këtë entuziazëm të shqiptarëve myslimanë për Krishtlindjen katolike. “Ata nuk e dinë fare se çfarë në fakt po festojnë”, thotë gruaja, e cila do të identifikohet si “grua nga Ballkani”. Ajo konsideron se popullariteti i Krishtlindjes me siguri lidhet me faktin se kjo festë perceptohet si diçka amerikane dhe perëndimore. Kolegu i saj është dakord. Ai konsideron se mënyra si festohet Krishtlindja në Prishtinë, është shumë komerciale. Festa është ndikuar shumë nga kapitalizmi i stilit perëndimor ndërkohë që humbet fryma e vërtetë e Krishtlindjes. Por po kjo vlen edhe për festat e bashkësive tjera fetare, thotë burri i cili vetë është fëmijë i një martese të përzier: serbe-hungareze-kroate. Ai me familjen e tij feston gjithmonë Krishtlindjen Katolike, atë Ortodokse dhe Ditën e të Shenjtëve. Ndërsa për Bajram secilën herë viziton familjet rome.

Një refleks antikomunist?

Ky flirtim me interpretimet amerikane dhe të “oksidentalizuara” të Krishtlindjes mund të vihet në lidhje veç tjerash edhe me komunizmin e ish Jugosllavisë. Romi i besimit mysliman sqaron se në kohën e Titos ka qenë e ndaluar të festoheshin festat fetare. “Kështu, në vend të një bredhi të Krishtlindjes, njerëzit kanë dekoruar një bredh të Vitit të Ri”. Kjo praktikë ka qenë shumë popullore si te të krishterët ashtu dhe te myslimanët. Ai mendon se Bredhi i Vitit të ri ka qenë simbol për perëndimin jokomunist. Për disa, perëndimi dhe Amerika ishin sinonime për më tepër liri pra edhe për liri besimi, feje. Roli i rëndësishëm që SHBA ka luajtur në përfundimin e luftës së Kosovës, do ta ketë forcuar më tutje këtë perceptim.

Përfundimi: Shumë rrugë shpiejnë te Krishtlindja


Bisedat lidhur me Krishtlindjen në Prishtinë tregojnë se qasja e myslimanëve ndaj festës së krishterë është komplekse, shumështresore. Nëse më parë ka qenë një qëndrim kundër komunizmit, sot ajo për shumëkë është para së gjithash, kënaqësi. Dhe, se cila festë ofron mundësinë për një gjë të tillë, është diçka e dorës së dytë. Nga ana tjetër persona tjerë përmes identitetit të tyre etnik ndihen të lidhur me festën e drejtimit tjetër religjioz (që e kanë shqiptarët) – kryesorja, është një festë që e festojnë shqiptarët. Ky qëndrim sërish pasqyron veç tjerash edhe elementin sekular të identitetit shqiptar dhe vihet në lidhje me të kaluarën e afërme, të dhembshme të Kosovës. Me këtë rast vie qartë në pah se ku janë llogoret në mes të komuniteteve të këtij vendi.

Megjithatë bisedat tregojnë: Religjioni mund të interpretohet në mënyrë fleksibile. Ai mund t`u përshtatet rrethanave dhe nevojave vendore. Në rastin e Krishtlindjes Katolike në Prishtinë kjo bëhet në mënyrë jashtëzakonisht të thjeshtë dhe kolegiale, qoftë nga shkaqe spirituale ose të tjera. Kryesorja është: dritat e Krishtlindjes, vera e vluar dhe shoqëria e mirë.