22.08.2018

Albin Kurti, sjelljet prej profeti nuk kanë vend në politikë

16 Janar 2018

Nga Mustafa Nano

Sikur të isha atje, si anëtar i kësaj lëvizjeje, do ngrihesha t’i thosha Albinit: Jo, i dashur, nuk është kjo ajo që ne duam të dëgjojmë. Vetëvendosja nuk mund e nuk duhet të jetë një garnizon ushtarak.

Aq më pak një sekt fetar, anëtarët e të cilit u dashka të edukohen me vetëdisiplinim, qasje vetëmohuese, shpirt vullnetarizmi, e gatishmëri për sakrifica e për dedikimin maksimal ndaj kauzës së përbashkët. Kjo është njësoj si ta xhihadizosh jetën politike…

Lexova fjalën e Albin Kurtit  të mbajtur në sallën e kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë që, me këtë rast, ishte mbushur me burra. Veç tek-tuk faniteshin koka grash, dhe duhet thënë se dukeshin si të huaja, të tepërta, gati subversive, në atë botë të sigurt burrash. Kurti foli edhe për barazinë gjinore, por ai mjedis njëgjinor e sfidonte në çdo fjalë mbi barazinë gjinore që nxirrte nga goja.

Por nuk është kjo çështja, që më tërhoqi vëmendjen. Vëmendjen ma tërhoqën ca ide të tjera, e mbi të gjitha vetë fjalimi, që ai e mbajti për të prezantuar platformën, me të cilën do të konkurrojë në garën për kreun e Vetëvendosjes. Po e them qysh në fillim: Ishte një fjalim për t’u hedhur poshtë. Jo aq në germë, sa në frymë. Ai nuk ishte fjalimi i një udhëheqësi partie, por i një edukatori, prijësi legjendar, guruje. I atij që kishte zbuluar gurin filozofal. I atij që shpërndan mjegullën, largon terrin, afron dritën, tremb djajtë, pastron shpirtrat.

Shkurt, Albin Kurti ishte zhgënjyes këtë herë. Shumë zhgënjyes. Mos vallë problemi është te unë, që nuk e kam njohur Albinin, ose që kam njohur një Albin tjetër? Ndoshta. Nuk e përjashtoj që të jetë kështu. Ai, sidoqoftë, në një pikë ishte ai që unë kam njohur: politikani intelektual. Është një njeri i lëçitur, një ndër pak politikanë të lëçitur të botës shqiptare.

Të tjerët që kanë gjithashtu një prerje intelektuale nuk e bëjnë vezën e tij. Sikur të isha votues i Kosovës, me gjithë dyshimet e rezervat që kam, do të votoja për të. Lëri të tjerat, por do doja që Vetëvendosja të mos mbetej më në këtë rol opozitar, që po e lodh, e që ka rrezik ta pervertojë. Gjynah nëse do ndodhte kjo. Do doja që Vetëvendosjes t’i jepej një herë mundësia për ta qeverisur Kosovën. Jo për gjë, por të tjerët ose i kemi provuar, ose nuk kemi pse t’i provojmë.

Ka diçka që duhet thënë lidhur me politikanin intelektual, megjithatë. Ky i fundit, në kundërshtim me ç’mund të mendohet, nuk të ofron vetvetiu ndonjë garanci ekstra. Nuk kemi asnjë arsye që ta lidhim apriori fuqinë intelektuale të një politikani me dobinë publike e kombëtare të tij. Një interes komunitar, që duhet të jetë në fokusin e një politikani të zotë, mund të mbrohet më mirë prej virtytit sesa prej dijes. Dhe këtu po flas për rastin, kur dija e virtyti nuk janë bashkë. Sepse nuk është e thënë të jenë bashkë. Madje rëndom janë mësuar të rrinë veç e veç. Për ta thënë në stilin e fjalimit të Albinit, dija e bën të pasigurt virtytin, ndërsa virtyti i bëhet barrë dijes.

Me fjalë të tjera akoma, fuqia intelektuale në politikë nuk është e thënë të jetë një gjë e nevojshme. Dhe kur një politikan e ka këtë fuqi, kjo nuk është e mjaftueshme. Ky atribut nuk është i mjaftueshëm as për hesapet që politikani intelektual bën në funksion të ambicies së vet. Nuk është e thënë pra që politikanët që e kanë këtë fuqi intelektuale, të jenë më të avantazhuar në garën politike. Këtë garë mund ta fitojnë të tjerë që nuk shquhen për ndonjë IQ të dukshme, apo që nuk kanë ndonjë respekt për dijet (“expertise is overrated”-“dijet janë më pak të rëndësishme sesa mendohet”, ka thënë Donald Trump-i, sipas librit të bujshëm të Michael Wolff-it ). Për më tepër, është shembulli i Jezu Krishtit e i Muhametit, personazheve më të rëndësishme në historinë e botës, që tregon se botën “mund ta pushtosh” edhe pa qenë me shkollë.

Por Albin Kurti me siguri nuk mendon se është kështu. Ai mendon se politikani duhet të jetë edhe i dijshëm, edhe i virtytshëm. Nuk është se e ka keq. Mund të qëllojë që një politikan të jetë edhe i dijshëm, edhe i virtytshëm. Ky mund të jetë edhe rasti i Albin Kurtit, gjë që e besojnë shumë vetë, sidomos votuesit e Vetëvendosjes. E duhet të them se nuk më shqetësojnë fare këta që e besojnë variantin e Albinit edhe të dijshëm, edhe të virtytshëm. Jam i prirur ta besoj edhe vetë këtë gjë. E pse të mos e besoj? Por puna është se prapëseprapë nuk më ngroh kushedi se çfarë. Sepse me Albinin, me ç’shoh, më ndan vizioni për botën. Dhe për demokracinë, politikën, partinë.

Po ndalem pak te kjo e fundit. Te partia. Albini e sheh partinë si një medresé, me fjalë të tjera si një shkollë që edukon, e që përgatit militantë. Ai guxoi madje të bënte edhe një identikit të militantit të Vetëvendosjes, duke përcaktuar tipare të dyfishta të tij, dhe duke i përshkruar këto tipare në stilin, të cilit iu referova pak më sipër: “1. I organizuar dhe aktiv (Organizimi pa aktivitet bëhet burokraci, aktiviteti pa organizim bëhet kaos); 2. Krenar dhe modest (Krenaria pa modesti bëhet mendjemadhësi, modestia pa krenari bëhet dorëzim); 3. I dashur dhe rigoroz (Rreptësia pa dashamirësi bëhet arrogancë, dashamirësia pa rreptësi bëhet lazdrim); 4. I vendosur dhe analitik (Gjykimi pa studim është teke arbitrare, studimi pa gjykim është pavendosmëri dërrmuese); 5. I zemëruar dhe me shpresë (Zemërimi pa shpresë bëhet hakmarrje, shpresa pa zemërim bëhet dëshpërim); 6. I mësuar dhe debatues (Mësimi pa debat bëhet vetëmbyllje, debati pa mësim bëhet llafazaní); 7. Punëtor dhe i aksionit (Puna pa aksion të mërzit, aksioni pa punë të bën dembel)”. Hë, si thoni? Do donit të ishit anëtarë të lëvizjes së Vetëvendosjes? Unë, jo. Më kap frika të më futin në këtë kallëp të Albinit. Më ngjan me kallëpin, në të cilin Enver Hoxha futi anëtarët e partisë së tij. Në mos, më keq, me shtratin e Prokrustit.

Pak më poshtë, Albini u jepte një rol aktivistëve në ndërtimin e Kuzhinave Popullore për të varfrit (“aktivistët vullnetarë do të mbledhin ushqimin e tepërt nga restorantet apo vetëshërbimet, e njëkohësisht edhe donacionet nga prodhues e afaristë të ndryshëm lokalë”), në organizimin e formave të edukimit (“një organizatë politike i kushton rëndësi leximit e studimit e shkencës, artit e kulturës”), në ndërtimin qendrave të vullnetarëve të Vetëvendosjes në qytete të ndryshme (“që do të kenë për qëllim organizimin e përditshëm të punës vullnetare në ndihmë të individëve e komuniteteve në nevojë, mbledhjen e shpërndarjen e ndihmave nga qytetarët, vetëdijësim për çështje të së mirës publike, si higjiena publike, ruajtja e mjedisit, adresimi në institucione i abuzimeve e i nevojave”), në organizimin e kurseve falas për qytetarët e varfër, për gjuhë të huaja, aftësi artistike, e pse jo edhe për ndonjë zanat etj.

E dini? Unë e lexoja, dhe kisha gjithë kohën asociacionin se bëhej fjalë për ndonjë rreng të gazetës në ndonjë rubrikë satirike të sajën. Sepse më dukej e pabesueshme që Albin Kurti të mbante një fjalim të tillë, ku vihej re një përpjekje për të inxhinieruar shpirtrat e mendjet e atyre njerëzve që ishin në sallë, apo edhe të tjerëve që Albinin do ta ndiqnin nga ekrani i televizorit, e do ta lexonin në gazetë, një përpjekje për të prodhuar njeriun e ri kosovar, që në mendje ka interesin publik, dhe sakrificën për këtë interes. Ishte një fjalim i frikshëm orwell-ian, që synonte shpëlarje trush, asgjësim personalitetesh, apo – thënë me fjalë të tjera që janë familjare për lexuesin e Shqipërisë – lejfenizimin e anëtarëve të Vetëvendosjes.

Sikur të isha atje, si anëtar i kësaj lëvizjeje, do ngrihesha t’i thosha Albinit: “Jo, i dashur, nuk është kjo ajo që ne duam të dëgjojmë. Vetëvendosja nuk mund e nuk duhet të jetë një garnizon ushtarak. Aq më pak një sekt fetar, anëtarët e të cilit u dashka të edukohen me vetëdisiplinim, qasje vetëmohuese, shpirt vullnetarizmi, e gatishmëri për sakrifica e për dedikimin maksimal ndaj kauzës së përbashkët.

Kjo është njësoj si ta xhihadizosh jetën politike (Mirë që nuk na kërkove edhe martirizimin; dhe me siguri që do të na e kërkoje, sikur të të shkonte mendja të na premtoje apo ofroje diçka të madhe në këmbim, fjala vjen kararin e madh në botën e përtejme). Vetëvendosja mund e duhet të jetë ashtu siç mëton se është, një lëvizje politike.

Dhe një lëvizje e tillë duhet të synojë jo përgatitjen e aktivistëve e luftëtarëve, por bashkimin e energjive, vullneteve dhe pasioneve humane që duan një Kosovë më të mirë, të cilën mund ta përkufizojmë sipas një vizioni të përbashkët. Për këtë, Vetëvendosja thjesht duhet t’i ftojë njerëzit që ta shohin anëtarësimin në Vetëvendosje si një mënyrë për të luajtur një rol, e për të marrë pjesë, në demokraci.

Mirëpo kjo pjesëmarrje është thjesht një shans që njerëzit kanë për ta thënë të tyren, për të optimalizuar kontributin e tyre individual, për të ballafaquar ca vizione të tyret mbi botën, për t’u bashkuar rreth ca ideve, për të qenë pjesë e vendimmarrjes, dhe në gjithë këtë histori, secili i jep kauzës atë që ai ka të tepërt (kohë, energji, dije, para, pasionin komunitar etj.), dhe jo atë që i kërkojnë (sakrifica). Të tjerat nuk janë punë e aktivistëve partiakë. Janë punë e qeverisë, shtetit, institucioneve, shkollave, shoqërisë”.

Shkurt, unë nuk pashë ndonjë ofertë politike në platformën e paraqitur nga Albin Kurti. Dhe me këtë nuk është se jam duke marrë pjesë në garën që ekziston për të kapur kreun e Vetëvendosjes. Kjo është një gjë që nuk më përket. Jo për gjë, por nuk jam një taksapagues në Kosovë./Mapo/