24.11.2017

Del Toro merr “Luanin e Artë”

11 Shtator 2017

“The shape of water\", fantazia romantike e regjisorit Guillermo del Toro fitoi “Luanin e Artë” në edicionin e 74-t të Festivalit të Filmit në Venecia.

Regjisori meksikan i njohur për filmat horror-gotik tha se çmimi i shumëlakmuar dëshmon se çdo artist duhet t’i qëndrojë besnik asaj në të cilën beson, në rastin e tij, mostrave.

Prodhimi i fundit i Del Toros është një përrallë e zezë, që tregon historinë e një pastrueseje që bie në dashuri me një krijesë ujore.  Ai ja dedikoi çmimin regjisoreve të rinj amerikano-latinë.

\"Si një meksikan ua dedikoj çmimin të gjithë regjisorëve amerikano-latinë që ëndërrojnë të bëjnë diçka të madhe, edhe pse u thuhet se nuk mund ta bëjnë. Gjithçka është e realizueshme\", tha regjisori.

Çmimi i Jurisë shkoi për tragjedinë familjare \"Foxtrot\", nga regjisori izraelit Samuel Maoz, ndërsa francezi Xavier Le Grand u zgjodh si regjisori më i mirë për dramën e tij \"Jusqu’a la Garde\". Charlotte Rampling mori statuetën si “Aktorja më e mirë protagoniste” për performancën e saj në filmin italian  \"Hannah\", ndërsa palestinezi Kamel El Basha u vlerësua si aktori më i mirë për rolin në \"The Insult\".

Ceremonia e çmimeve mbylli siparin e maratonës dhjetëditore të filmit, ku garuan 21 filma ndërkombëtare. Festivali i filmit në Venecia, më i vjetri në botë, konsiderohet edhe si trampolinë e sezonit të çmimeve në industrinë kinematografike.