24.11.2017

Vitin e ardhshëm Kosova bëhet me sigurime bujqësore

11 Korrik 2017

Me krijimin e sistemit të sigurimit për prodhimtarinë bujqësore, i cili pritet të fillojë së implementuari që nga viti i ardhshëm në vendin tonë, do të arrihet menaxhimi i rreziqeve të ndryshme në këtë prodhimtari, duke i parandaluar apo minimizuar pasojat e tyre negative. Për zhvillimin e këtij sistemi tashmë Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe IFC-ja, anëtare e Grupit të Bankës Botërore kanë nënshkruar Marrëveshje bashkëpunimi për të zhvilluar sistemin e sigurimit për prodhimtarinë bujqësore në Kosovë.

Në vazhdën e këtij procesi, sot është mbajtur takimi i sektorit të sigurimeve bujqësore në Kosovë, në të cilin ka marrë pjesë ministri i MBPZHR-së, Memli Krasniqi, përfaqësues të BQK-së, të IFC-së në Kosovë, të  Kompanive të Sigurimit, si dhe përfaqësues të shoqatave të fermerëve, ku para tyre është prezantuar projekti për sigurime bujqësore në Kosovë.

Me këtë rast, ministri Krasniqi, tha se ky zhvillimi i këtij sistemi do të jetë një hap shumë i rëndësishëm që do të ndikojë fuqishëm në rritjen e prodhimtarisë bujqësore në vend dhe tregoi se implementimi i tij do bëhet për herë të parë në Kosovë, dhe se për këtë gjë ai tha se MBPZHR-ja  planifikon që t’i subvencionojë një pjesë të kostos për primet e sigurimit për bujqësi, në mënyrë që t’i bëjë ato më të përballueshme për fermerët, dhe për t’i përkrahur dhe mbrojtur bizneset e tyre bujqësore.

“Në këtë mënyrë në formë të organizuar do të mbrojmë punën dhe të ardhurat e fermerëve në njërën anë, por edhe standardin e jetës së tyre të ndikuar nga humbjet eventuale të prodhimit ose cilësisë, në anën tjetër. Përmes implementimit të këtij sistemi ne do të arrijmë edhe rezultate tjera, po ashtu të ndërlidhura dhe tejet të rëndësishme në prodhimtarinë bujqësore në Kosovë”, ka thënë ministri Krasniqi.
Në anën tjetër, Leah Soroka, menaxhere e Programit për Evropë dhe Azi Qendrore, projekti Agro-Finance në Bankën Botërore, tha se tashmë janë duke krijuar fillimisht një mjedis të përshtatshëm ligjor, një strategji të sigurimeve bujqësore, si dhe jemi duke siguruar një kornizë të fortë rregullative të tregut.

Ndryshe, bazuar edhe në marrëveshjen e nënshkruar, IFC-ja do ta këshillojë Ministrinë në zhvillimin dhe zbatimin e një sistemi të sigurimit për bujqësi që është transparent, i qëndrueshëm dhe financiarisht i zbatueshëm, për ta përmirësuar konkurrueshmërinë në tregun gjithnjë e më të integruar të mallrave.