19.11.2017

Stavileci i dorëzoi detyrën ministrit të ri të MZHE-së, Valdrin Lluka

11 Shtator 2017

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci i ka dorëzuar sot detyrën ministrin të ri të MZHE-së, Valdrin Lluka, të cilit i ka uruar suksese në detyrën e re dhe e ka njoftuar atë me punën dhe sfidat.

“Në dhjetor të 2014 pranova detyrën e re në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, ministri kjo që mbulon tre sektorë shumë strategjik në ekonominë e vendit tonë. Energjia, Minierat, TIK dhe Monitorimin e ndërmarrjeve publike, kjo ishte sfida e radhës. Me ndonjë përjashtim secili nga këta sektorë ishte në një udhëkryq me probleme të akumuluara ku kërkohej një qasje strategjike për t’i orientuar interesat ekonomike të vendit brenda këtyre sektorëve”, tha Stavileci.

Sipas tij, në linjë me orientimin strategjik gjatë mandatit të kaluar është aprovuar Strategjia e Energjisë 2017-2026, dokument ky i përkrahur dhe i zotuar për mbështetjeje edhe nga partneret më të rëndësishëm në këtë sektor.

Ministri në largim tha se Ligji për Trepçën, ishte një nga sfidat e radhës, e cila u kalua me shumë sukses, duke krijuar në konsensus politik dhe shoqëror se kjo ishte rruga për zhbllokimin e kësaj ndërmarrje dhe hapjen e mundësive për investim.

Në fund ai tha të jetë i sinqertë me të gjithë, duke i thënë ministrit të ri se kanë mbetur sfida të shumta pa u përfunduar që do të ndikonin në përmirësim të mirëqenies së qytetarëve tonë. “Po të njëjtën kohë jam shumë krenar për punët e kryera dhe reformat e realizuara, të cilat sado pak të kenë shërbyer për përmirësimin ekonomisë se vendit”.

Nga ana e tij Ministri i ri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, falënderoi ministrin Blerand Stavileci për angazhimin e deritashëm.

Pas ceremonisë së pranim dorëzimit të detyrës së ministrit të Zhvillimit Ekonomik, z. Lluka tha se këtë nderë, privilegj dhe përgjegjësi do ta shndërroj në një angazhim të pa kursyer, me të gjitha kapacitetet e mundshme, për të mirë të vendit.

“Kosova ka më shumë se kurrë nevojë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Shumë sfida na presin përpara por së bashku me stafin e Ministrisë besoj që do t’ia arrijmë t’i kalojmë”, tha ministri Lluka.