25.06.2017

Muzeu i "Gjethes"... (Foto)

24 Maj 2017

Kryeinxhinieri Nesti Vako, i cili ka mbikëqyrur punimet në Muzeun e Gjethes, u bë pjesë e sigurimit që nga viti 1969 si Shef i Teknikës Operative.
Ai është i lumtur që shtëpia prej nga ku drejtoheshin përgjimet në kohën e diktaturës, sot është hapur si muze për të gjithë.

“Këtu në katin e parë kontrolloheshin linjat telefonike. Natyrisht gjithmonë me vendim të Prokurorit të Përgjithshëm bëheshin. Në katin e parë kanë qenë zyrat e teknikës operative nga të cilat kanë qenë vetëm 5 punonjës për të gjithë Republikën. Punonin me teknikët për veprime operative që thonë me ato çimkat për të marrë informacionin që merrej nga bashkëpunëtorët apo edhe nga ndonjë burim tjetër”, u shpreh ai.

“Shtëpia me Gjethe” fillimisht u ndërtua si një shtëpi lindjeje, nga ku do të zinte fill jeta. Por gjatë viteve të para të pasluftës u përdor si qendër hetuesie, një vend ku kryheshin tortura e ku shumë shpesh jeta prihej në mes.

“Nuk ndihem fare fajtor. Më tepër kam punuar me këtë sistem dhe kemi parë që informatorë ka më shumë tani se sa atëherë. Më vjen shumë mirë që ta marrin vesh njerëzit që këtu ka qenë një institucion, i cili vërtetonte saktësinë e informacionit të rremë apo të parremë. Në të gjithë botën teknika operative është një nga punët agjenturiale operative me të cilat mbahet shteti”, shton Nesti Vako.

Kurioziteti se çfarë fshihet përtej mureve të kësaj godine tani mund të shuhet përmes vizitës në këtë muze në çdo ditë të javës./Top Channel/