23.04.2017

Mustafa premton funksionalizimin e Aeroportit të Gjakovës

21 Prill 2017

Kryeministri Isa Mustafa, vizitoi Aeroportin e Gjakovës, ku u prit nga Kryeshefja ekzekutive e Aeroportit të Gjakovës, Vlora Gojani, anëtarët e Bordit dhe të ekzekutivit, ku u njoftua në detaje për asetet që i disponon Aeroporti i Gjakovës si dhe mundësitë e funksionalizimit të tij.

Mustafa tha se ky Aeroport është një aset shumë i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik të Gjakovës dhe të Kosovës, i cili nuk duhet të mbahet në pasivitet.

 “Ju i shihni këto pajisje që kanë një vlerë shumë të veçantë dhe është keq që janë jashtë përdorimit. E kemi një pistë të shkëlqyeshme të Aeroportit, një ambient i cili është tepër i mirë për Kosovën, por edhe për zhvillimin ekonomik të Gjakovës. Ne u morëm vesh që të punojmë të gjithë së bashku, edhe ministritë përkatëse, edhe agjencionet qeveritare, por edhe Komuna, Bordi dhe menaxhmenti i këtij Aeroporti në mënyrë që të gjejmë alternativat më të mira sa më shpejt”, tha kryeministri.

Ai tha se Qeveria do të marr për obligim që të sigurojë financimin që Bordi, menaxhmenti dhe punonjësit që merren me administratën dhe sigurinë e Aeroportit, të vazhdojnë dhe të kenë mundësi që të punojnë.

“Do të bëjmë një studim të fizibilitetit dhe të kërkojmë edhe partneritet ndërkombëtar për këtë studim dhe pastaj të ofrojmë alternativat më të mira për shfrytëzimin e këtyre aseteve dhe për gjenerimin ekonomik edhe për Gjakovën edhe për Kosovën në tërësi”, tha kryeministri Mustafa, duke bërë të ditur se në këtë drejtim do të punohet më shpejtë dhe nuk do të lihen asetet e tilla jashtë përdorimit.

Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, tha se është biseduar për format dhe mënyrat më të mira të funksionalizimit të Aeroportit e Gjakovës.

“Natyrisht janë kërkesa të cilat janë valide prej kohës kur është bërë pranim-dorëzimi i Aeroportit. Është një moment interesant, kryeministri është mirë i informuar mbi asetet, mbi vlerën dhe besoj se sot bashkërisht kemi treguar përkushtimin që në afat sa më të shkurtër kohor të kemi një plan aktiv mbi funksionalizimin dhe operacionalizimin e Aeroportit të Gjakovës në të gjitha fushat të cilat janë në përputhshmëri me ligjin dhe të cilat do të garantojnë një efikasitet të funksionimit të Aeroportit të Gjakovës”, tha kryetarja Kusari-Lila.

Lidhur me mundësitë e aktivizimit dhe përdorimit të Aeroportit të Gjakovës, kryetarja Kusari-Lila tha se janë disa forma të cilat bashkërisht janë biseduar në takim dhe për të cilat do të punohet në ditët në vijim.

 “Po flasim për periudha jo të gjata kohore, flasim për periudha të cilat ne nga sot e tutje do të jemi aktivisht të involvuar dhe pastaj nga ky plan i fizibilitetit të nxjerrim orientimet. Mundësitë janë të shumta prej shkollës së Aviacionit Civil, tek mundësitë e përdorimit të hapësirës për çështje të ndryshme komerciale. Natyrisht çdo gjë sipas legjislacionit në fuqi në Kosovë”, tha kryetarja Kusari-Lila. 


 
Gjatë kësaj vizite, Mustafa u shoqërua edhe nga ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, ai i Infrastrukturës, Lutfi Zharku dhe drejtori i Aviacionit Civil.