22.10.2017

Kthim në kohë, Shqipëria e vitit 1989 (Video)

13 Korrik 2017

Këto janë vitet ’90 dhe të tillë kemi qenë ne. Si visheshim? Si ushqeheshim? Ku flinim? Ku donim të shkonim? Me çfarë ritesh vdisnim dhe me çfarë të tjerash martoheshim? Këta janë shqiptarët e ’90-s, nga syri i objektivit të Robert Pichler.

Ai ishte veçse një student në Vjenë, kur udhëtoi për herë të parë në Shqipëri në vitin 1989. Si historian, antropolog dhe fotograf, ai ishte i interesuar për familjen, migrimin, marrëdhëniet farefisnore dhe në veri të Shqipërisë gjeti elementë interesantë.

“Njerëzit kanë qenë shumë të hapur, shumë kuriozë e kishin interes. Unë kam qenë me familje që kishin vetëm qepë e vezë. Kam qenë dy herë në varrime, që ka qenë diçka e jashtëzakonshme për mua”, thotë Robert Pichler, historian,antropolog dhe fotograf.

Përveç kërkimit të ethshëm për liri, apo thyerjes së gardheve të ambasadave, shqiptarët e asaj kohe kishin etje për të lëvizur. Ndaj kjo ekspozitë nuk mund të ishte veçse lëvizëse.

“I gjithë udhëtimi i tij në Shqipërinë e viteve ’90 ka një sens aventure e udhëtimi, e për këtë arsye doja që përveç faktit se jo çdo gjë duhet të ndodhë nëpër hapësira konvencionale, është edhe ky sensi i udhëtimit”, thotë kuratorja e ekspozitës, Edit Pula.

Pas çeljes mbrëmjen e së enjtes të kësaj ekspozite, në stacionin e autobusëve të veriut në rrugën “Dritan Hoxha”, këto fotografi do të shëtisin për të dëshmuar kujtesën tonë në barkun e autobusëve Tiranë-Bajram Curri, e më pas do të qëndrojnë në muzeun e atyshëm për dy muaj, duke sjellë edhe ngjarjen e vetme dhe më të rëndësishme kulturore në këtë vend për sezonin./tch/