22.09.2017

Kjo është kërkesa më absurde për gazetarët

24 Prill 2017

Gazetarët e mediave shtetërore në Taxhikistan thonë se nga ta është kërkuar që ta përdorin titullin e plotë, të gjatë, të presidentit, Emomali Rahmon, gjatë raportimeve për të.

Gazetarët që punojnë për mediat shtetërore i kanë thënë sot Radios Evropa e Lirë se duhet ta paraqesin presidentin Rahmon si “themelues i paqes dhe unitetit kombëtar të Taxhikistanit, lideri i kombit, presidenti Emomali Rahmon”.

Drejtori i Radios shtetërore të Taxhikistanit, Farruh Ziyoyev, tha se përdorimi i obligueshëm i titullit të plotë të presidentit është i paraparë me ligj dhe nuk ka dhënë detaje të tjera.

Rahmon, 64 vjeçar, e ka titullin dhe imunitetin e përjetshëm nga ndjekja penale, në harmoni me një legjislacion, të cilin e ka miratuar në vitin 2015, përcjell REL.

Ky legjislacion, po ashtu, i mbronë edhe të afërmit e tij nga ndjekja ligjore.

Ish-shef i një ferme kolektive në Taxhikistan, ai sundon prej vitit 1992, një vit pas shkatërrimit të Bashkimit Sovjetik më 1991.

Avokati i pavarur, Shokirjon Hakimov, tha se legjislacioni nuk parasheh kurrfarë dënimesh për mospërdorimin e titullit të presidentit në raportet për të.