20.11.2018

Ishulli përrallor në Karaibe, në shitje për 73 mln euro (Foto/Video)

30 Qershor 2018

Një ishull privat në Karaibe është nxjerrë në shitje për një vlerë rreth 73 milionë eurosh.

“Little Pipe Cay”, në Bahamasin qendror, përshkruhet si “xhevahiri” i arkipelagut ishullor “Exumas”.

Ishulli dikur i pabanuar prej 154 mijë metrash katrorë, apo 15 hektarësh, ka 4 zona plazhesh ranore dhe rrethohet nga një det i kaltër me një jetë të pasur detare.

Përgjatë 15 viteve të fundit, pronarët aktualë e transformuan ishullin, duke ndërtuar 5 shtëpi, që të gjitha me pamje mahnitëse nga deti.

Në total, pronat e ndërtuara dhe të mobiluara kanë 9 dhoma fjetjeje dhe 9 tualete, sikurse edhe një pishinë, një “spa”, akomodim të mjaftueshëm për stafin, objekte të tjera shërbimi dhe siguri 24-orëshe.

“Exumas”, një arkipelag i shfrytëzuar për xhirimin e filmave “Bond” apo “Piratët e Karaibeve”, ndodhet vetëm 270 milje (435 km) larg Floridës, ndërsa deri në “Little Pipe Cay” mund të shkohet me jahte apo hidroplanë.

Agjencia e pronave të paluajtshme, “Knight Frank” e ka listuar atë për shitje në vlerën e 85 milionë dollarëve. Kreu i kësaj agjencie për Karaibet, Edward de Mallet Morgan shprehet se “është privilegj të menaxhosh në mënyrë ekskluzive shitjen e një aseti kaq të mrekullueshëm. Një ishull privat i pabesueshëm, real dhe që një herë në jetë mund të të jepet mundësia ta zotërosh”.