19.12.2018

Hamza: Masat fiskale do të hyjnë në fuqi ashtu siç është premtuar

4 Janar 2018

Futja e masës së re për kalimin e pagesës së TVSH-së nga kufiri në brendësi dhe hyrja në fuqi e masave fiskale të paralajmëruara vitin e kaluar ishin arsyet që bën ministrin e Financave, Bedri Hamza të takohet me Safet Gërxhaliu kryetari i OEK,ai i Odës Amerikane, Arian Zeka dhe i Klubit të Prodhuesve Astrit Panxha.

Ministri i Financave, Bedri Hamza tha se ashtu siç kanë premtuar, masat për lirimin nge pagesës në dogana dhe e lirimit nga akciza janë duke u bërë në mënyrë të lehtësimit për prodhuesit vendor e sidomos për fuqizimin e sektorit privat.

Qysh në fillim në mandatit, qeveria e Kosovës kishte marr vendim që të gjithë prodhuesit të liroheshin nga tatimi në dogana për importin e produkteve si dhe të liroheshin nga tatimi i akcizës për lëndët djegëse.

Këto vendime ishin paralajmëruar që do të hynin në fuqi qysh me 1 janar të këtij vit. Kreu i MF siguroi edhe njëherë se të gjitha vendimet e marra do të ekzekutohen, mirëpo kërkoi mirëkuptim nga bizneset.

“Siç e dini ne në fund të vitit të kaluar i kemi kaluar të gjitha masat që kanë të bëjnë për bizneset. Këto vendime janë në fuqi dhe presim që të zbatohen pa asnjë vështirësi. Këto vendime që kanë të bëjnë me lirimin prej tatimit të doganës për lëndët e para pastaj vendimi për lirimin nga akciza për të gjitha lëndët djegëse të zhvillohen. Ne sot biseduam për këto ndryshime që do të ndodhin. Ju kërkova që të jenë pjesë e grupeve punuese me ekspertizën e tyre sepse i kanë të identifikuar me problemet dhe bashkë me to t`i shtyjmë përpara reformat. Besoj që me përkrahjen e asociacioneve të bizneseve ne do t`i shtyjmë ato përpara”, tha ai.

Hamza lidhur me futjen e masës së re për kalimin e pagesës së TVSH-së nga kufiri në brendësi, tha se do të kërkojë reforma të shumta mirëpo sipas tij do të lehtësoj shumë punën e bizneseve.

“Sa i përket kalimit të pagesës së TVSH prej kufirit në brendësi është një reformë që kërkon ndryshim është lehtësi e madhe e biznesit. Ne e dimë që të gjitha ndërmarrjet që importojnë janë të obliguar të paguajnë TVSH në kufi ende pa e shit mallin dhe pastaj ata detyrohen që të marrin kredi në banka. Është një çështje që neve na ofron na drejton rreth integrimeve euroatlantike”.

I kënaqur me vendimet e qeverisë ishte Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës. Gërxhaliu tha se zgjidhja e problemeve në ekonomi është sundimi i rendit dhe ligjit.

“Agjenda ekonomike nuk ka alternativ dhe po promovohet një pako e re për të bërë biznes në Kosovë. Projeksionet buxhetore për vitin 2018, rritja e mbështetjes së sundimit të ligjit, në arsim dhe edukim dhe në IT janë të rëndësishme për ekonominë në vend. Duhet të kuptojmë që emëruesi i përbashkët i zgjidhjes së të gjitha problemeve ekonomike në Kosovë është sundimi i rendit dhe ligjit”.

Ndërsa kryetari i Odës Amerikane, Arian Zeka tha se vazhdimësia e punëve të qeverisë së kaluar është tregues i mirë për investitorët e huaj.

“Avancimi i mëtejmë i reformës fiskale që ka qenë një kërkesë e kamotshme e jona. Në këtë vend së paku në aspektin e zhvillimeve ekonomike ka një vazhdimësi e që është një tregues i mirë për investitorët”.

E kryetari i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha tha se janë duke punuar në hartimin e një dokumenti i cili do t`i dorëzohet Ministrisë së Financave dhe i cili ka të bëj me propozimin për stimulimin e eksportit.

“Për neve është shumë me rëndësi fillimi i këtyre masave, do të kemi lehtësira në importin e lëndës së parë, po ashtu lirimi edhe nga akciza që është shumë me rëndësi për rrjedhën e parasë për prodhuesit vendor. Besojmë që ka ende hapësirë për masa shtesë. Jemi duke punuar për një dokument për simulimin e eksportit. Çdo euro e kursyer për prodhuesit vendor do të thotë rritje në investim, e në këtë mënyrë edhe rritje të mirëqenies së qytetarëve”./EO/