22.07.2017

Bordi jofunksional i ZRrE-së mundëson faturimin e kundërligjshëm të rrymës

13 Korrik 2017

Mungesa e kuorumit në Bordin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka bërë që qytetarët e tjerë të paguajnë energjinë e shpenzuar në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit. Avokati i Popullit ka konstatuar se kjo mënyrë e mbulimit të shpenzimit të energjisë është kundërligjore dhe cenon të drejtat e njeriut dhe të konsumatorit. Institucionet e shohin si problem politik.

Ligjit për Rregullatorin e Energjisë mundësoi që shpenzimi i energjisë elektrike në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit t’u faturohet qytetarëve tjerë të Kosovës. Ky ligj ka hyrë në fuqi më 14 korrik të vitit 2016, i shpallur në Gazetën Zyrtare.

Për këtë veprim Avokati i Popullit ka konstatuar se është në kundërshtim me ligjet në fuqi që e rregullojnë sektorin e energjisë elektrike, dhe në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Madje Avokati ka thënë se me këto veprime po cenohen edhe dispozitat kushtetuese dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Por Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka thënë për Gazetën Insajderi se mungesa e kuorumit në Bordin e këtij institucioni ka pamundësuar marrjen e një vendimi tjetër.

“Vendimet për proceset e shqyrtimeve tarifore janë në kompetencë të Bordit dhe aktualisht Bordi i ZRrE-së, për shkak të mungesës së kuorumit, nuk mund të marrë vendim tjetër”, thuhet në përgjigjen e ZRrE-së, duke thënë se nuk e komentojnë raportin e Avokatit të Popullit.

Bordi i ZRrE-së aktualisht i ka vetëm dy anëtarë nga pesë gjithsej. Kjo për shkak se vitin e kaluar njërit prej anëtarëve i kishte skaduar mandati. Kurse anëtari tjetër Qemajl Mustafa, kishte dhënë dorëheqje për shkak të ngritjes së aktakuzës për krim të organizuar dhe korrupsion. Ndërkaq, në maj të këtij viti i ka skaduar mandati edhe anëtarit të tretë.

Megjithatë, ZRrE-ja thotë se faturimi i energjisë në këtë mënyrë është i bazuar në Ligjin për Rregullatorin e Energjisë.

“Plani vjetor i humbjeve përfshin vlerësimin e humbjeve teknike dhe konsumin e paautorizuar të energjisë elektrike”, thuhet në përgjigjen e ZRrE-së.

Ndërkaq, Avokati i Popullit i ka rekomanduar ZRrE-së që urgjentisht ta ndalë këtë praktikë të kundërligjshme.

“ZRrE urgjentisht të ndalë praktikat e kundërligjshme të faturimit të energjisë elektrike të shpenzuar në veri të Republikës së Kosovës tek konsumatorët në pjesën tjetër të vendit”, thuhet në rekomandim.

Por ZRrE-ja thotë se pamundësia e qasjes në veri për operatorët bëri që faturimi i rrymës së shpenzuar në këto katër komuna të shpërndahet te konsumatorët tjerë.

“Duke marrë parasysh se qasja në Veriun e Vendit, për operatorët e shërbimeve të energjisë ka qenë e pamundur dhe jashtë ndikimit të operatorëve, arsyen se energjia e pafaturuar nuk është mbuluar nga institucionet e Kosovës, po ashtu duke mos pasur zgjidhje tjetër për të mbajtur sistemin elektroenergjetik në gjendje funksionale, Bordi i ZRRE ka qenë i detyruar që kostot për mbulimin e humbjeve duke përfshirë edhe humbjet në Veri të Vendit t’i shpërndajë te të gjithë konsumatorët”, thuhet në përgjigjen e ZRrE-së dhënë për Gazetën Insajderi.

Kurse Avokati i Popullit kërkon nga Qeveria, ZRrE-ja dhe KEDS-i që të gjejnë mënyra tjera për ta mbuluar shpenzimin e energjisë në veri.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me ZRRE-në dhe KEDS-in, të gjejë një mënyrë alternative për t’iu shmangur humbjeve në veri të vendit, duke trajtuar të gjithë konsumatorët në mënyrë të barabartë sipas normave kushtetuese dhe ligjore kundër diskriminimit”, thuhet në rekomandimin tjetër të Avokatit të Popullit.

Gjithashtu, Avokati kërkon nga ZRrE-ja, që në pajtim me Ligjin Nr. 05/L-084 për Rregullatorin e Energjisë, të nxjerrë një vendim, me anë të të cilit do të miratohej zbritja e tarifave deri në atë masë që do të mundësonte kompensimin e konsumatorëve të cilët, siç thotë Avokati, padrejtësisht janë faturuar dhe vazhdojnë të faturohen për energjinë elektrike të shpenzuar në katër komunat veriore.

Diçka të ngjashme ZRrE-ja thotë ta ketë provuar me institucionet e vendit.

“Posaçërisht çështjen e humbjeve, ZRrE vazhdimisht është munduar ta shtrojë edhe para institucioneve më të larta, duke përfshirë Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës”, thuhet në përgjigje.

Gazeta Insajderi ka provuar të marrë qëndrimin e Qeverisë, por ajo nuk i është përgjigjur interesimit të gazetës.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZhE) thotë se çështja e faturimit në veri mbetet problem i mos integrimit të katër komunave me shumicë serbe.

“Pamundësia e qasjes së Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (KEDS)  dhe Kompanisë se Furnizimit Publik (KESKO) (deri në maj 2013 këto funksione janë kryer nga KEK) lidhet me problemin e madh politik të integrimit të katër komunave të veriut të Kosovës në të gjitha hallkat e sistemit të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e MZhE-së dhënë Gazetës Insajderi.

MZhE-ja thotë se ky problem është adresuar në Marrëveshjen e Brukselit për Energjinë të vitit 2013, për të cilën thotë se nuk po zbatohet.

Kurse KEDS thotë se nuk mund ta komentojë raportin e Avokatit të Popullit, pasi kjo është në përgjegjësinë e ZRrE-së.

“Në pyetjen tuaj lidhur me raportin e Avokatit të Popullit, ne nuk mund të komentojmë sepse kjo çështje është në përgjegjësinë e ZRrE-së”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të KEDS-it, Viktor Buzhala.

Avni Azemi nga KOSID, ka thënë për Insajderin se barra që po u vihet qytetarëve tjerë për energjinë e shpenzuar në katër komunat në veri, tregon pamundësinë dhe paaftësinë e Qeverisë për të vepruar në veri.

“Konsideroj që kjo pjesë e humbjeve politike e cila po i faturohet qytetarëve të cilët e paguajnë energjinë elektrike në vazhdimësi nuk është aspak e drejtë. Kjo dëshmon që qeveria në pamundësi të shtrirjes së sovranitetit në ato pjesë të territorit të vendit po penalizon një pjesë të qytetarëve të tjerë padrejtësisht”, ka thënë Azemi.

Ai ka thënë se këtë shpenzim nuk mund ta paguajnë qytetarët e tjerë përveç atyre që e konsumojnë atë.

Sipas tij, KOSID për shumë vjet kishte paralajmëruar për këtë shkelje që po behet, duke i rekomanduar ZRrE-së që të mos e përfshijë këtë humbje në tarifat e energjisë elektrike.

Azemi ka bërë të ditur se çështja e faturimit të energjisë elektrike të pjesës së Veriut të Kosovës është komplet politike.

Përkundër faktit se një zgjidhje për këtë gjë ishte kërkuar edhe gjatë negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë, Azemi ka thënë se kjo çështje ka mbetur akoma e pazgjidhur./Insajderi.com