16.10.2019

Ana e errët e të shkuarës së Perusë, si sakrifikoheshin fëmijët

28 Prill 2018

Shkencëtarët kanë nxjerrë në dritë një sekret të errët në Peru: skeletet e më shumë se 140 fëmijëve dhe 200 lamave u gjetën gjatë gërmimeve në bregun verior të vendit, një zbulim ky që mund të përbëjë dëshminë e sakrificës më të madhe të të miturve në histori, sipas National Geographic.

Flijimet makabre besohet të kenë ndodhur rreth 550 vjet më parë në perandorinë Chimú; vendi i sakrificës ndodhet shumeëpranë Chan Chan-it të mbrojtur nga UNESCO.

Fotot e National Geographic tregojnë me dhjetëra eshtra të ruajtura prej më shumë se 5 shekujsh nga rëra e fortë. Fëmijët fatkeqë ishin të moshave 5 deri në 14 vjeç, ndërsa lamat më pak se 18 muajshe.

Skeletet e të miturve dhe kafshëve kanë shenja të qarta goditjesh në zonën e kraharorit, si dhe dislokim të brinjëve. Ekspertët kanë dalë në përfundimin se gjatë ceremonisë, atyre u është çarë gjoksi, me shumë gjasa për t’u shkulur zemrën dhe e njëjta gjë ka ndodhur dhe me lamat.

Fëmijët, që i kishin fytyrat të lyera me një pigment të kuq, janë varrosur me fytyrë nga perëndimi, duke parë drejt detit, ndërsa lamat me pamje nga lindja, drejt majave më të larta të Andeve.

Verifikimi i shtresave të baltës së tharë tregoi se sakrificat njerëzore dhe ato të kafshëve kanë ndodhur në të njëjtën kohë. Tre të rritur, një burrë dhe dy gra u gjetën gjithashtu në zonë, edhe ata të flijuar përmes goditjesh të forta në kokë.

Zona në fjale pushtoi titujt e gazetave në 2011-ën, kur po aty u zbuluan gjatë një gërmimi të rastësishëm eshtrat e 42 fëmijëve dhe 76 lamave.