17.07.2019

Ambientalistët ngrenë alarmin, plastika “kanos” planetin

16 Dhjetor 2018

Të përballur me imazhet e breshkave të mbuluara me qese plastike, plazhe të mbuluara me mbeturina, dhe ishuj mbeturinash që pluskojnë nëpër oqeane, ambientalistët thonë se bota ka urgjentisht nevojë për të luftuar ndotjen prej plastikës, që po e kanos rëndë planetin.

Balena e kapur në Indonezi, me gjashtë kilogram plastikë në stomak, po e sjell ndotjen plastike në qendër të vëmendjes. Megjithatë, ekspertët e mjedisit janë optimistë.

Ekspozimi do ta bëjë problemin e plastikës të vështirë për t’u injoruar, dhe vëmendja do të përqendrohet tek mënyra më e mirë për t’u marrë me mbeturina të tilla.

Tetë milion ton plastikë derdhen në oqeane çdo vit, sipas një studimi në revistën Science. Por kjo është vetëm sasia e plastikës që vjen nga toka, tha Francois Galgani, studiues në institutin francez Ifremer, duke vlerësuar se dy milionë ton mund të vijnë nga anijet, veçanërisht nga anijet e peshkimit.

Si pasojë, më shumë se 700 specie kryesisht ujore janë të ndikuara, duke përfshirë breshkat që ngatërrojnë qeset plastike me kandilat e detit me të cilët ushqehen, tha Galgani.

Bashkimi Europian dëshiron të ndalojë disa lloje plastikash një përdorimshe deri në fund të vitit 2021. Për Galganin, ky do të ishte një lajm i mirë, pasi do të përfaqësonte rreth 30 deri në 40 përqind më pak të plastikës që përfundon në oqeane.