24.09.2017

AKP shet objektin e “Gërmisë” për 1.8 milion euro

6 Shtator 2017

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) sot në ceremoninë e hapjes së ofertave të shitjeve nr. 35 përmes metodës së likuidimit shpalli çmimet më të larta të ofruara për asetet e ndërmarrjeve shoqërore që ishin në dispozicion për shitje.

Për 64 asete sa ishin në shitje përmes kësaj vale të tenderuar gjithsej u pranuan 151 oferta, dhe vlera e tërësishme e ofertave më të larta ishte 7,401,518 euro.

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka shitur lokalin “Gërmia” në lagjen “Ulpiana” të Prishtinës për 1.8 milion euro. Për këtë objekt kishte pasur 15 ofertues.

Dorëzimi i ofertave nga investitorët, hapja e ofertave dhe publikimi i rezultateve u bë në mënyrë transparente, para përfaqësuesve të mediave, Odës Ekonomike të Kosovës, Odës së Avokatëve të Kosovës  dhe investitorëve të pranishëm.

AKP është organ i pavarur i themeluar nga Kuvendi i Kosovës dhe ka mandatin dhe autoritetin për shitjen ose bartjen e ndërmarrjeve ose aseteve investitorëve private-blerësve, ose likuidimin e tyre, gjithnjë përmes një procesi të hapur, transparent, konkurrues dhe pa vonesa.