23.11.2017

Zbulohet eliksiri i rinisë

15 Nëntor 2016

Shkencëtarët besojnë se kanë gjetur formulën e “eliksirit” të rinisë së përhershme dhe thonë se testimet e para për këtë do të fillojnë që në vitin e ardhshëm.

Bëhet fjalë për një medikament që mund të frenojë, madje edhe të shërojë sëmundje si Alzheimer dhe Parkinson dhe shkencëtarët besojnë se falë këtij zbulimi mund të ‘ndalojnë’ plakjen dhe të ndihmojnë njerëzit që të jetojnë në gjendje të mirë dhe të shëndetshme deri në 110-120 vjet.

E gjitha kjo mund të tingëllojë si fantazi, por profesori skocez, Gordon Lithgow, pjesë e grupit të shkencëtarëve që po punojnë në këtë kërkim, thotë se kjo pilulë mund të jetë realitet shumë shpejt.

“Nëse synohet ngadalësimi i procesit fiziologjik të plakjes, atëherë rrjedhimisht ngadalëson dhe zvogëlon edhe mundësitë e prekjes nga sëmundje apo patologji të tjera që lidhen me moshën”, thotë ai.

E për ta përforcuar se nuk bëhet fjalë vetëm për një trill që mund t’u sigurojë famën, grupi i shkencëtarëve, skocezë e amerikanë thonë se kanë marrë dritën jeshile nga autoritetet amerikane për të testuar produktin e tyre tek njerëzit vitin e ardhshëm.

Nëse testimet do të rezultojnë me sukses, një person që është rreth të 80-ave do të gëzojë shëndetin e një 50-vjeçari./tch/