21.08.2018

Kanabisi mund të shkaktojë vdekjen e parakohshme

3 Maj 2018

Tymosja e shpeshtë e marijuanës gjatë adoleshencës mund të shkaktojë vdekjen e parakohshme. Ky është përfundimi në të cilin ka dalë një studim suedez.

Kërkuesit shkencorë suedezë analizuan më shumë se 45 000 meshkuj të cilët kishin kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak në periudhën 1969-1970.

Ata panë shkakun e vdekjes së tyre në Regjistrin Kombëtar të Shkaqeve të Vdekjes dhe doli se ata që kishin tymosur shumë hashash në adoleshencë, ishin 40% më të rrezikuar për të vdekur para të gjashtëdhjetave, në krahasim me ata që nuk kishin pirë.

Një ekspert amerikan tha se përdoruesit e kanabisit zakonisht kanë shëndet më të keq se ata që nuk e përdorin, ndërsa studime të tjera e kanë lidhur tymosjen e marijuanës me kancerin në mushkëri dhe me problemet e zemrës.

Ndërkohë, Dr. Kevin Hill, anëtar i Këshillit të Psikiatërve Amerikanë, u shpreh: “Një studim si ky suedezi jep mesazhin e qartë se sasia ka shumë rëndësi”.