13.12.2018

Xhavit Haliti i thotë Anton Çunit: Ke rrejt për 8 milionë markat

17 Prill 2018

Seanca e mbetur përgjysmë një ditë më parë, ka nisur me një përplasje verbale ndërmjet kryesuesit të seancës Xhavit Halitit dhe deputetit të LDK-së, Anton Çuni për periudhën e luftës. Ky i fundit  një ditë më parë në një intervistë ka thënë se Xhavit Haliti gjatë periudhës së luftës i kishte marrë tetë milionë marka gjermane nga ministri i Mbrojtjes në atë kohë, Ahmet Krasniqi.

Nga foltorja e Kuvendit, Xhavit Haliti teksa e ka mohuar një gjë të tillë, disa herë i ka thënë Çunit që kjo është gënjeshtër.

“Tash më duhet të them se ke gënjy, ose më mirë të them, ke rrejt. Këtu mund të flasin dy vetë. Bujar Bukoshi sa i përket çështjeve politike dhe Isa Mustafa pjesërisht për çështjen e financave dhe gjallë është vetëm Hilmi Nebihu. Ai ka qenë prezent çdo herë në të gjitha takimet me Ahmet Krasniqi që i kemi pasë. Unë nuk e mohoj atë, por shuma që e ke thënë nuk është e vërtetë”, tha Haliti.

Madje, Haliti tha se është i gatshëm jep dorëheqje nëse ka argumente që dëshmojnë se i ka marrë tetë milionë marka gjermane. Deputeti Çuni ndërkaq tha se nuk ka asgjë të keqe të thuhet një gjë e tillë nëse ai fond është ndarë për UÇK-së, aq më tepër kur sipas tij, e kanë thënë edhe të tjerë para tij. Çuni shtoi se me fakte mund ta dëshmojë një gjë të tillë.

“Nuk jam i sigurtë a janë në pyetje 6, 7 a 8, por mund t’i siguroj edhe faktet, edhe dëshmitarët, edhe protagonistët, që të saktësojmë me ditë më datë me ngjarje, me vend, që ju këtë shumë plus minus e keni pranuar personalisht me autorizimin e kolonel Ahmet Krasniqit”, tha Çuni.

Haliti e mohoi sërish, ndërsa nuk ia dha fjalën Çunit për replikë, dhe për këtë u akuzua se po e keqpërdor foltoren.

Kjo nxiti disa prej deputetëve të LDK-së, por edhe të grupeve tjera të dalin te foltorja e Kuvendit, por megjithatë, situata u menaxhua dhe seanca iu kthye punës së rregullt. Në këtë mënyrë, ligjvënësit me 66 vota për dhe 5 abstenime, miratuan formimin e Komisionit hetimor parlamentar për rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq.