18.07.2018

Vuçiq akuzon BE-në dhe SHBA-në për Asociacionin dhe Specialen

17 Mars 2018

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq thotë se bashkësisë ndërkombëtare, e cila është “garantuese e Marrëveshjes së Brukselit, e jo vetëm e shqiptarëve”, më nuk i beson lidhur me Asociacionin e Komunave Serbe, transmeton Gazeta Express.

“Për ASK-në flitet në çdo takim. Unë nuk u besoj fare. Qe pesë vjet që më gënjejnë. Pesë vjet kërkoj dhe tash u them ‘më gënjeni’. Jo vetëm shqiptarët. Atyre as që u kam besuar fort, por juve nga bashkësia ndërkombëtare”, tha ai duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në Prokuple.

Vuçiq, siç raporton b92.net, ka thënë se Serbia i ka plotësuar të gjitha ato që i ka nënshkruar.

“Ata (shqiptarët) janë të përkëdhelurit tuaj, ju ua bëtë shtetin e pavarur, ju, SHBA-të dhe shumë vende evropiane. Si s’mundeshkeni ta bindni të përkëdhelurin tuaj ta plotësojë atë që e ka nënshkruar, kurse ju jeni garantues i asaj?”, ka thënë ai.

Kjo gjë, sipas presidentit serb, ndërkombëtarëve s’u intereson, ndërsa shqiptarëve kurrë s’u ka interesuar.

“Vetëm kur duhet për diçka t’i sulmojnë serbët, këtu janë kampionë”, ka sulmuar Vuçiqi ndërkombëtarët, duke i porositur: “Nuk jemi edhe ne fare pa mënyra për t’iu përgjigjur tërë kësaj.

Ai gjithashtu ka thënë se nuk pret “ama bash asgjë” nga Gjykata Speciale për UÇK-në.

As 14 pas, siç u shpreh, “eksodit të tmerrshëm, vrasjes, dëbimit të serbëve dhe shkatërrimit të kishave dhe rrënimit të kryqeve prej tyre”, askush për këtë, sipas Vuçiqit, s’është përgjigjur.

“Asnjë njeri s’është përgjigjur për atë eksod. Aq për Eulexin dhe drejtësinë ndërkombëtare”, ka thënë presidenti serb.