20.10.2019

Veseli nuk merr pjesë në takimin e ftuar nga Haradinaj

30 Korrik 2019

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, ka ftuar partnerët e koalicionit në një takim konsultativ që do të mbahet sot. Haradinaj ftesën partnerëve të koalicionit ua bëri dje nëpërmjet një konference për media, madje me ironi tha se në takim do të diskutojnë për ngrohjen globale.

Por burime brenda kabinetit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, njëherit kryetar i PDK-së, Kadri Veseli, i ka thënë RTKlive, se Veseli nuk do të marrë pjesë në këtë takim. Sipas po të njëjtit burim, kryetari i PDK-së, ka disa arsyeje për mos shkuarje në takimin e  ftuar nga Haradinaj.

Ndryshe kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i PDK-së, Kadri Veseli ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të votojë për shpërbërjen e vet dhe të caktohet data e zgjedhjeve, në mënyrë që vendi të shkojë sa më shpejtë në zgjedhje.

Ai në një intervistë për RTK, pas mbajtjes së mbledhjes së parë të Këshillit Drejtues të PDK-së, i dalë nga zgjedhjet e brendshme të kësaj partie. “Mos t’i maltretojmë qytetarët, është koha e vendimmarrjes. I kisha thirr kolegët e mi të partive politike, të mblidhemi në Kuvend, duhet të ndodh shpërbërja e Parlamentit, të merremi vesh për datën e zgjedhjeve”, tha Veseli. Ai ka thënë se ka dy mundësi për caktimin e zgjedhjeve, takimi i partive politike me presidentin dhe vendimi i Kuvendit për shpërbërje, që sipas Veselit ky i dyti është dhe më i shpejt.