24.04.2019

Vdes një person nga gripi i derrit, evidentohen edhe tri raste tjera

12 Shkurt 2019

Një person i prekur me gripin e derrit ka ndërruar jetë dy ditë më parë në Klinikën Infektive në Prishtinë, derisa edhe tre persona tjerë në vend tashmë janë të prekur nga ky grip.

Po ashtu, vetëm nga muaji janar i këtij viti e deri më sot katër persona kanë vdekur nga gripi sezonal, prej të cilit për më pak se katër muaj janë prekur mbi 24 mijë qytetarë.

Ramadan Jashari, nga fshati Pogragjë i komunës së Gjilanit, është viktima e parë e gripit të derrit, nga i cili tashmë janë prekur edhe qytetarë të tjerë në vend.

Ai ka vdekur më 10 shkurt të këtij viti teksa ishte duke u trajtuar në Klinikën Intensive në Prishtinë.

Drejtori i Spitalit të Gjilanit, Nisret Hajrullahu, ka thënë për “Zërin” se Jashari ishte infermier në këtë spital dhe se qe tri javë ishte i shtrirë në Kujdesin Intensiv në Klinikën Infektive në Prishtinë, ku nuk mundi ta përballojë këtë sëmundje.