13.12.2018

Thaçi, presidenti i vetëm në rajon që pritet nga Macron-i

14 Mars 2018

Njëri ndër personalitet më të fuqishëm të botës dhe me ndikim të madh në Evropë, presidenti francez, Emmanuel Macron, ka pritur sot në takim presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.

Në këtë takim bilateral ndërmjet dy presidentëve është biseduar për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Francës, si dhe për mundësinë e një shkëmbimi më të madh tregtar.

Presidenti Thaçi ka falënderuar presidentin francez, Macron, për mbështetjen që Franca i ka dhënë Kosovës për lirinë, pavarësinë dhe në procesin e shtetndërtimit dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar.

“Franca është një aleat strategjik i Kosovës. Vizioni i presidentit Macron për Evropën dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor është një garanci për integrimin tonë në BE dhe NATO”, ka theksuar Thaçi.

Ai ka thënë se ka marrë mbështetje të plotë nga presidenti francez për rrugën e pakthyeshme të Kosovës drejt reformave dhe integrimeve euroatlantike.

Nga ana tjetër, presidenti francez, Emmanuel Macron, i ka dhënë mbështetje të plotë presidentit Thaçi në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti Thaçi ka thënë se Kosova është e përkushtuar që të përmbyllë këtë proces, i cili do të përfundojë me anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Presidenti Thaçi është presidenti i vetëm në rajon që është pritur këtë vit nga presidenti francez, Emmanuel Macron.