22.05.2019

Thaçi donte që lëvizja e kufijve të përfshihej në Platformën e dialogut

21 Shkurt 2019

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, vazhdon të insistojë me çdo kusht në idenë e tij që Lugina t’i bashkohet Kosovës.

Ai, këtë ide të tij, ka synuar ta fusë edhe në platformën për dialogun, por ajo është refuzuar nga ekipi shtetëror, raporton KTV.

Krejt çka është vënë si pikë e parimeve në këtë dokument të nxjerrë nga ekipi shtetëror, është avancimi i të drejtave të komunitetit shqiptar që jetojnë në Republikën e Serbisë, në reciprocitet të plotë me komunitetin serb në Republikën e Kosovës.

Bashkëkryesuesi i këtij ekipi, Shpend Ahmeti, ka thënë se në një nga takimet e liderëve, presidenti ka kërkuar që kjo çështje të përfshihet në platformë.

KTV-ja ka pyetur edhe Presidencën, nëse i pari i shtetit planifikon që atë draft-rezolutë, përmes së cilës kërkon që t’i njihet e drejta shqiptarëve të Luginës për bashkëngjitje me Kosovën, t’ia përcjellë Kuvendit, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Megjithëse pas dorëzimit në Kuvend javën e shkuar, u tha se shpejt do të ketë një seancë ku do të shqyrtohet platforma për dialogun, nga kabineti i kryeparlamentarit i kanë thënë KTV-së se seancë do të ketë me 28 shkurt, porse ajo do të jetë veç vazhdim i seancës së mbetur kohë më parë.

“ Platforma u është shpërndarë deputetëve e komisioneve, aty do të trajtohet e pastaj do të dalë në shqyrtim në seancë , por fillimisht duhet të votohet në lexim të dytë projektligji për dialogun”, kanë thënë zyrtarë të kabinetit të Veselit.

E paqartë për ekipin shtetëror mbetet se pse nuk u thirr një seancë ashtu siç ishte planifikuar të ndodhte brenda kësaj jave, e për këtë pritet që të premten gjatë paradites të mblidhen në takim anëtarët e këtij ekipi.

Ahmeti do të marrë pjesë në takime të këtij niveli, por assesi thotë se nuk do të bëhet pjesë e takimeve ku temë do të jetë taksa.

Por, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli thotë se marrëdhëniet me SHBA nuk do të prishen.

Pacolli nuk ka dashur të flasë shumë për takimin që e kishte propozuar ditë më parë për të koordinuar veprimet që tha se shkojnë në interesin e miqësisë me aleatët perëndimorë.