18.12.2018

Sipas familjarëve të viktimave të aksidentit në Mramor, shteti më shumë brengoset për ambasadoren Kiliç se qytetarët e vdekur

18 Nëntor 2018

Familjarët e katër viktimave të cilët vdiqën në aksidentin e të premtes në magjistralen Prishtinë-Gjilan janë të bindur se eskorta e ambasadores turke në Kosovë, Kivlicim Kiliç, e cila ishte e përfshirë në këtë aksident ishte shkaktar i vdekjes së Agron Shalës 22 vjeç, Osman Shalës 65 vjeç, dhe Arife Shalës 88 vjeçe si dhe te Elfete Rashitit.

Ata i kanë deklaruar gazetës Koha Ditore se kanë humbur besimin tek institucionet e Kosovës dhe se nuk presin hetime të drejta për këtë rast.

Sipas tyre, institucionet e Kosovës më shumë janë duke u brengosur për lëndimet e ambasadores turke sesa për qytetarët e saj të vdekur.

Familjarët nga fshati Ponesh i komunës së Gjilanit kanë deklaruar se do të angazhojnë një përfaqësues ligjor me qëllim zbardhjen e rastit.

Hetime transparente për rastin ka kërkuar edhe imami i fshatit i cili ka deklaruar se familjarët do të angazhohen me qëllim ndriçimin e rastit.