21.10.2018

Si i dërgoi Presidenti Hashim Thaçi drejt burgut të përjetshëm mësuesit e të birit?

16 Prill 2018

Në emisionin InDoks u transmetua dokumentari “Telenovelë me turq”. Është ky një dokumentar për operacionin fortë të dyshimtë të autoriteteve kosovare për dëbimin e 6 shtetasve të huaj për në Turqi.

Nga minuta 22:00 e tutje drejtues të shkollave të Fetullah Gylenit në Kosovë tregojnë për InDoks se cila është lidhja e Presidentit Hashim Thaçi me shkollën e tyre. Sa nga gylenistët me të cilët ishte fotografuar ai i dërgoi në duart e Erdoganit në operacionin e 29 marsit?

Në 50 minuta të dokumentarit InDoks me autor Visar Duriqi për herë të parë do të zbulohen detaje të padëgjuara më parë për përfshirjen  direkte të krerëve të shtetit në këtë operacion që çoi në duart e Presidentit Turk, Erdogan 6 gylenistë, që ai i konsideron pjesëtarë të një organizate terroriste me emrin FETO.

Janë rrëfimet autentike të familjarëve të të dëbuarve, drejtuesve të institucioneve arsimore të Fetullah Gylenit në Kosovë dhe drejtues të lartë të shtetit të Kosovës që e shpërfaqin një anë tjetër të kësaj histori që më shumë ngjan si një telenovelë.

A ishte  ligjshëm implikimi i shërbimeve sekrete në këtë operacion kur Kosova ka policinë e rregullt të saj? A kryen vërtetë arrestime agjentët e Erdoganit në tokën kosovare? A mjafton vetëm shkarkimi i një ministri dhe i shefit të AKI-së? A rrezikohen gylenistët e tjerë në Kosovë?  Janë shumë nga pyetjet që marrin përgjigje në këtë dokumentar, që transmetohet në RTV Dukagjini.

InDoks është emision hulumtues që prodhohet nga Gazeta Online Insajderi. /Insajderi.com/

Këtu gjeni videon e plotë e dokumentarit:

https://video.gjirafa.com/insajderi?video=indoks-telenovele-me-turq-2