19.10.2019

Shtatë propozime për shtatoren e Demaçit, artistët kundër tenderimit

19 Korrik 2019

Komisioni i përbërë nga pesë anëtarë ka vlerësuar propozimet e dhëna për shtatoren e Adem Demaçit. Por edhe ky sikurse të tjerët për shtatore është zhvilluar nëpërmjet procesit të tenderimit.

Jo vetëm disa artistë, por edhe anëtarë të komisionit janë kundër përzgjedhjes së shtatoreve me tender, shkruan sot Koha Ditore.

Në konkursin e hapur nga Zyra e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, kërkohet që të konkurrojnë kompanitë. E në këtë mënyrë skulptorëve u duhet të hapin kompani ose të gjejnë një të tillë për të konkurruar.

Kjo del të jetë edhe njëra prej arsyeve përse në këtë konkurs, për të cilin janë ndarë 124 mijë euro, kanë kandiduar me bocetat e tyre vetëm shtatë artistë. Pas vlerësimit që ka bërë komisioni të enjten, pritet që pas analizës financiare të bëhet publike edhe boceti që do të shndërrohet në shtatoren, e cila do të zërë vend në sheshin “Adem Demaçi” te ai që njihet si rrethi i spitalit në Prishtinë.

Aplikimi është bërë nëpërmjet shifrave, pa emrat e skulptorëve. Megjithëse kjo bëhet për hir të transparencës, besueshmëria në këtë proces nuk është aq e lartë.