20.10.2019

Shpërfillet kërkesa e QUINT’it

15 Gusht 2019

Pavarësisht faktit që shtetet e QUINT-it kanë kërkuar vazhdimin e menjëhershëm të dialogut dhe heqjen e taksës së vendosur ndaj produkteve serbe, asnjëra prej partive politike nuk është deklaruar pro heqjes së tarifës. Përkundrazi, përfaqësues të subjekteve politike rëndësi të veçantë u kanë kushtuar zgjedhjeve të parakohshme, pas të cilave duhet të rinisë dialogu.

Në fillim të kësaj jave shtetet e QUINT-it kërkuan rifillimin e menjëhershëm të procesit të dialogut mes Kosovës e Serbisë. Thirrja e pesë shteteve të QUINT-it për rinisje të procesit të negociatave erdhi në kohën kur në Kosovë pritet të vijë një qeveri e re, qoftë përmes një procesi të ri elektoral, qoftë pa shkuar fare në zgjedhje.

Por ndonëse ekziston edhe ky opsion, të cilin e lejon Kushtetuta, partitë politike kanë kërkuar që data e zgjedhjeve të parakohshme të caktohet menjëherë pas 22 gushtit, kur pritet të mbahet seanca për shpërndarjen e Kuvendit.

Teksa kanë komentuar thirrjen e QUINT-it për vazhdim të bisedimeve përfaqësues të partive politike kanë thënë se procesi i dialogut duhet të fillojë pas zgjedhjeve të reja, ndërkohë asnjë prej tyre nuk është deklaruar për heqje të taksës, ndonëse QUINT-i e ka kërkuar një gjë të tillë. Kurse përfaqësues të shoqërisë civile kanë konsideruar se pas rifillimit të procesit negociatat me Serbinë duhet të udhëhiqen nga Qeveria, gjegjësisht nga kryeministri i Kosovës.

Në katër takimet që janë mbajtur deri më tash në kuadër të etapës përmbyllëse të dialogut Kosova është përfaqësuar nga presidenti Hashim Thaçi. Takimi i fundit mes dy palëve është zhvilluar para nëntë muajsh, më 9 nëntor 2018.