22.11.2017

Shpend Ahmeti anulon pjesëmarrjen në debatin e sotëm

14 Nëntor 2017

Ndonëse ishte paraparë që debati i dytë i balotazhit në kuadër të garës për Prishtinës, në mes të dy kandidatëve, Arban Abrashit, LDK, dhe Shpend Ahmetit, Vetëvendosje, të mbahej sonte në KTV nga ora 20:00, ky debat nuk do të ndodhë për shkak se Ahmeti ka anuluar pjesëmarrjen pak orë para debatit, shkruan Gazeta Metro.

Anulimin e debatit nga shtabi i Ahmetit e ka bërë të ditur gazetari Adriatik Kelmendi përmes rrjetit social Facebook. Ai ka bërë të ditur se Ahmeti është shprehur i gatshëm që debatin ta zhvillojë në një ditë tjetër.

Gjeni pa ndërhyrje publikimin e gazetarit Kelmendi:

Sot, rreth orës 17:15, unë jam takuar me përfaqësuesit e Shtabit Zgjedhor të kandidatit të LVV-së për Prishtinën, Ylli Hoxha dhe Adonis Tahiri, të cilët më kanë thënë se – ndonëse e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e Shpend Ahmetit në Rubikon sonte live – kanë vendosur që këtë ta shtyjnë për ndonjë ditë tjetër.

Ata, që të dy, më kanë thënë se janë të vetëdijshëm për këtë njoftim të vonshëm, edhe pse e kishim konfirmuar edhe me shkrim edhe gojarisht, por se ky është vendim i partisë.

Ndërkohë, Hoxha i është drejtuar edhe me një email KTV-së, ku shpreh gatishmërinë që Ahmeti të vijë për debat në këtë televizion ndonjë ditë tjetër.

Natyrisht, vendimet për pjesëmarrje, shtyrje ose anulime të debateve televizive janë vendime autonome të subjekteve politike dhe ne nga media aty nuk mund të ndikojmë.

Për hir të korrektësisë duhet nënvizuar se edhe kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka anuluar dy debate televizive të konfirmuara javët e kaluara nga të dy kundërkandidatët në KTV.

Patjetër, siç edhe është praktikë jona, nëse anulimi ose kërkesa për shtyerje do të bëhej një ditë më herët, ose edhe në mëngjesin e të njëjtës ditë – nga cilado palë – ne nuk do ta paralajmëronim emisionin dhe do ta ndërronim temën/debatin. Por, në rastet kur ka konfirmim dhe pastaj ndryshon diçka, kurse emisioni është paralajmëruar, ne vazhdojmë me ata që vijnë.