24.10.2018

Serbia në ofensivë për çnjohje të Kosovës

12 Tetor 2018

Diplomacia serbe është duke e vazhduar ofensivën për të siguruar sa më shumë çnjohje të shtetit të Kosovës. Madje ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ka thënë se shpresojnë se deri në fund të vitit numri i njohjeve të Kosovës të bjerë nën 100. Në anën tjetër, Kosovën nuk e ka njohur asnjë shtet i ri që nga shkurti i këtij viti.

Shteti i Serbisë po vazhdon lobimin për tërheqjen e njohjeve për shtetin e Kosovës.

Ndërsa, synimi i diplomacisë serbe tani është që të ketë sa më shumë shtete që deklarojnë se e tërheqin njohjen e mëvetësisë së Kosovës.

Madje, sipas kryediplomatit serb, Ivica Daçiq, pretendimet e Serbisë janë që deri në fund të vitit të bjerë nën 100 numri i shteteve që njohin Kosovën, shkruan Zëri.

“Kjo është e rëndësishme nga pozicioni negociator, sepse në Prishtinë thonë: Çfarë kemi të negociojmë me ju kur na kanë njohur 116 shtete. Ata e kanë të fiksuar atë listë e që është një gënjeshtër e madhe, sepse disa shtete i kanë tërhequr njohjet”, deklaroi Daçiq, duke shtuar se do të ketë edhe çnjohje të reja gjatë vitit. Në anën tjetër, në Kosovë vlerësojnë që shteti serb po mundohet të zhvlerësojë Pavarësinë e Kosovës, ndërsa kritikojnë edhe diplomacinë kosovare për mosangazhim të mjaftueshëm.