22.05.2019

Rritet bilanci i viktimave në Zelandën e Re, autorët transmetuan LIVE në FB sulmin

15 Mars 2019

Ka shkuar në 49 numri i viktimave në sulmet ndaj dy xhamive në Zelandën e Re, bilanc që pritet të rritet për shkak të numrit të madh të të plagosurve.

Tre burra dhe një grua janë ndaluar nga policia, por autoritetet nuk e përjashtojnë mundësinë që të ketë edhe të dyshuar të tjerë në arrati. Sulmin vetë agresorët e kanë shfaqur në internet me livestream.

Një prej të prangosurve është shtetas Australian. Kryeministri i Australisë Scott Morrison e përshkroi këtë individ si një terrorist tejet të dhunshëm të ekstremit të djathtë.

Nga vendngjarja nuk ka ende shume detaje; situata është ende në zhvillim. Burime policore pohuan se janë gjetur edhe në numër eksplozivash të lidhur pas disa makinave, por shpërthimi i tyre është dalluar në kohë. Pas atij që po përshkruhet si akt i paprecedente dhune, xhamitë në qytet janë këshilluar të mbyllen përkohësisht.

Policë të armatosur janë parë të rrethojnë dhe një gjimnaz të qytetit. Raportet ne media tregojnë se ekstremisti Australian kishte lënë shënime ku shpjegonte qëllimet e tij e parashtronte ideologjinë e vet anti-emigracionit.