21.02.2018

Ramush Haradinaj reagon pas situatës së tensionuar për vendosjen e flamurit të Kosovës

13 Shkurt 2018

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka parë të udhës që të reagojë edhe një herë për çështjen e vendosjes së flamurit të Kosovës tek “Rrethi” në Prishtinë, pasi urdhëri i tij i dhënë gjatë mbledhjes së sotme të Qeverisë për vendosjen e flamurit shtetëror në këtë vend, për ta zëvëndësuar atë kombëtar, nuk është zbatuar pas shfaqjes së disa problemeve teknike.

Haradinaj në reagimin e tij ka thënë se flamuri kombëtar është flamuri i lirisë, ndërsa ai i Kosovës është flamuri i të ardhmes së Kosovës, shkruan Periskopi.

Ndërkohë situata është tensionuar tek “Rrethi” ku disa qytetar kanë tentuar që ta pengojnë vendosjen e flamurit të Kosovës, madje flamuri i paraparë të vendoset aty është vjedhur nga dikush./Periskopi/

Reagimi i plotë i Haradinajt në profilin e tij:

Flamuri kombëtar është flamuri i lirisë sonë. Me shekuj kemi rrugëtuar me këtë flamur dhe gjithmonë do ta duam dhe do ta respektojmë.

Vendosja e flamurit të shtetit të Kosovës bëhet në respekt të shtetit të Kosovës dhe shënimit të përvjetorit të dhjetë të shtetit tonë. Me këtë flamur synojmë njohjen ndërkombetare. Me këtë flamur zhvillojmë Kosovën dhe të ardhmen euro-atlantike.

Të dashur qytetarë,

Ta ruajmë rrugëtimin, edhe ashtu të vështirë, të shtetit tonë të ri.

RH