25.05.2018

Qindra zyrtarë policorë mbajnë pozita në mospërputhje me gradat

17 Maj 2018

Sipas një draftraporti të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), të cilin e ka siguruar gazeta “Zëri”, thuhet se janë hiç më pak se 375 zyrtarë policorë të Kosovës që mbajnë pozita në Policinë e Kosovës në mospërputhje me gradat e fituara. Auditori po ashtu ka gjetur një mal shkeljesh të tjera në institucionet vartëse të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Treqindeshtatëdhjetepesë zyrtarë të Policisë së Kosovës janë duke mbajtur pozita të punës në mospërputhje me gradat që ata i kanë fituar gjatë punës në Policinë e Kosovës.

Me vendim të drejtorit të përgjithshëm të Policisë kompensimi për këta të punësuar bëhet në bazë të pozitës dhe jo në bazë të gradës që aktualisht e ka arritur i punësuari.

Por ky veprim është në kundërshtim me sistemin e pagave të PK-së, ku koeficienti i pagës bazë për stafin policor përcaktohet në varësi të gradës dhe jo pozitës së punës.

Kjo, por edhe shumë shkelje të tjera janë evidentuar gjatë auditimit të pasqyrave financiare për Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) gjatë vitit 2017.

Në draftraportin e auditimit të siguruar nga gazeta “Zëri” thuhet se ushtrimi i gradave të tjera duke mos kaluar nëpër procese të rregullta të gradimit dhe kompensimi sipas pozitave nuk është në përputhje me sistemin e pagave dhe rrit rrezikun që pozitat të menaxhohen nga persona që nuk i plotësojnë kriteret e nevojshme.

Sipas Auditorit, kjo ndikon në rritje të shpenzimeve dhe në dëmtim të buxhetit.

“Ministri dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës (PK) duhet të sigurojnë që sistemimi i stafit policor në pozita të lira të bëhet pas plotësimit të kritereve apo rekrutimit të rregullt brenda PK-së dhe kompensimi i të punësuarve të bëhet në përputhje me gradat dhe me sistemin aktual të aprovuar të pagave”, thuhet në rekomandimin e ZKA-së për Policinë e Kosovës.