18.12.2017

Punëtorët shëndetësor mbesin gjashtë muaj pa paga!

12 Tetor 2017

Ka më shumë se gjashtë muaj që disa prej punëtorëve në Qendrën Familjare ‘Pajazit Ahmeti’ në Cërnic të Gjilanit kanë mbetur pa paga. E një gjë e tillë sigurisht ka shqetësuar vetë punëtorët madje sipas tyre përveç që nuk janë paguar, nuk kanë marrë madje as ndonjë arsyeje.

Qendra Familjare në Cërnic të Gjilanit ishte projekt i Komunës së Gjilanit dhe Organizatës Joqeveritare, Caritas Kosova.

Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Gjilan fajin ia hedhë Ministrisë së Shëndetësisë për mos-bartjen e fondeve të nevojshme. Kjo drejtori thotë se as Caritasi nuk e ka bartur pjesën e saj në vlerë prej 24 mijë eurove.

“Pyetja është për vonesa në pagesa dhe ka të bëjë me punëtorët në kuadër të projektit me ‘Caritas Kosova’ dhe Ministrinë e Shëndetësisë. Kemi mbetur prapa në pagesa për shkak se MSH nuk e ka bartur pjesën e saj për shkak të rishikimit të buxhetit dhe Caritasi nuk e ka bartur pjesën e saj në vlerë prej 24 mijë eurove”, është thënë në një përgjigje për Indeksonline nga Nexhat Hajrullahu, Drejtor i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Gjilanit.

Kurse sipas drejtorit Hajrullahu, punëtorët tjerë të rregullt shëndetësor i marrin pagat me rregull dhe se nuk ka asnjë problem në pagesa.

I kontaktuar nga Indeksonline, Faik Hoti nga Ministria e Shëndetësisë ka theksuar se punëtorët e QKMF-ve dhe ata të QMF-së, marrin pagat nga Komunat përkatëse dhe jo nga Ministria. Prandaj, sipas Hotit një llogari e tillë i përket Komunës së Gjilanit.

Pasi kjo qendër ishte projekt i përbashkët mes Komunës së Gjilanit dhe Organizatës Joqeveritare, Caritas Kosova, Indeksonline ka pyetur edhe këta të fundit për vonesën e pagave.

Përfaqësuesi i Caritas-it, njëherësh Koordinator i Projektit Shëndetësor në Gjilan, Pal Baftiu, ka kundërshtuar deklaratën e dhënë nga Hajrullahu, sipas të cilit nuk është e vërtetë.

Ai madje ka bërë të ditur se Caritas nuk kanë asnjë lloj borxhi dhe se marrëveshja e tyre e cila parashihej të ishte një vit, ka përfunduar para kohe, pra në muajin prill për shkak të pakënaqësive në drejtim të komunës.

“Ne nuk kemi asnjë lloj marrëveshje me këtë Qendër Mjekësore dhe asnjë lloj obligimi financiar ndaj askujt”, ka thënë Baftiu për Indeksonline.

Sipas tij marrëveshja e organizatës joqeveritare Caritas me Drejtorinë e Shëndetësisë në Gjilan ka përfunduar me datën 30 prill të këtij viti dhe se çdo obligim financiar nga ana e tyre është kryer.

“Çfarë ka vepruar Drejtoria e Shëndetësisë në Gjilan më tutje neve s’kemi informatë. Është çështje e komunës se çfarë pretendon më tutje dhe se a kanë vazhduar apo jo me pagat. Marrëveshja ishte për një vit por u ndërpre në muajin prill për arsye të mos kryerjes si duhet të obligimeve nga komuna”,ka shtuar Baftiu./Indeksonline/