21.08.2019

PSD: MIE-ja ka tejkaluar kompetencat, ka marrë rolin e MPJ-së

19 Korrik 2019

Kontrata e shumëpërfolur për lobim, e nënshkruar nga Ministria e Integrimit Evropian me kompaninë amerikane “Madison Global Strategies LLC” duhet anuluar.

Këtë kërkesë e ka parashtruar sërish Partia Socialdemokrate opozitare, shkruan sot Koha Ditore.

Sipas nënkryetarit të PSD-së, Visar Ymeri, kontrata në fjalë është e papranueshme dhe me një sërë problemesh, për të cilat ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, duhet të sqarohet dhe të japë përgjegjësi.

Ymeri ka folur para gazetarëve, të enjten, në një konferencë për shtyp, ku ka thënë se nënshkrimi i kontratës nga MIE-ja është tejkalim i kompetencave të kësaj ministrie, ndërsa ka folur edhe për një sërë problemesh që i kanë identifikuar në kontratë.

“Kjo kontratë, ndonëse tentohet të paraqitet si përpjekje e Qeverisë për të forcuar pozitat e Kosovës brenda vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, obligimet nga kontrata e nënshkruar thuhet të jenë krejt tjera. Kjo pasi që në përshkrimin e kontratës nga firma amerikane ‘Madison Global Strategies LLC’, e publikuar pranë agjencisë së Departamentit Amerikan të Drejtësisë, flitet për takime me anëtarët e Kongresit dhe Administratës Amerikane”, ka thënë Ymeri.

Përmes kësaj kontrate,Ymeri ka thënë se MIE-ja ka marrë rolin e MPJ-së.