18.12.2018

Protestat në Francë: Kryeministri e shfuqizon taksën e naftës për gjashtë muaj

4 Dhjetor 2018

Kryeministri i Francës, Edouard Philippe, ka njoftuar se qeveria e ka shfuqizuar zbatimin e taksës shtesë në naftë për një periudhë gjashtëmujore, pas protestave të dhunshme që kishin shpërthyer në tërë vendin. Ai tha se duhet të dëgjohet zemërimi i popullit dhe se taksa nuk do të zbatohet pa u zhvilluar debati i nevojshëm me ata që preken nga kjo taksë.

Protestat janë mbajtur në qytetet kryesore të Francës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në tri javët e kaluara. Tre persona kanë vdekur prej fillimit të protestave, ndërsa dëmtimi i pronës publike, përfshirë shumë statuja të rëndësishme, është dënuar ashpër nga të gjitha anët.

Rritja e pjesëmarrjes në këto protesta mendohet se ka ndodhur edhe me ndihmën e rrjeteve sociale dhe përkrahjes nga parti të caktuara politike. Pas këtyre ngjarjeve, reputacioni i presidentit Macron është dëmtuar dukshëm. Në anën tjetër, kryeministri francez tha se shfuqizimi i taksës do të ndikojë në parandalimin e rritjes së çmimit të naftës, rrymës dhe gazit natyror.

Nuk është e qartë se në cilën mënyrë qeveria do t’i sigurojë të ardhurat e planifikuara nga kjo taksë, por ministri i financave ka thënë se shfuqizimi i taksës nuk do ta vë në rrezik përmbushjen e zotimeve buxhetore, shkruan “BBC”.