22.05.2019

Prokuroria në Turqi me aktakuzë për “gylenistët”, ajo e Kosovës ende s’ka aktvendim për hetimin e dëbimit të tyre

14 Mars 2019

E ngathët është treguar Prokuroria Speciale në Kosovë, në raport me Prokurorinë në Turqi, në lidhje me rastin e gjashtë turqve të dëbuar nga Kosova vitin e kaluar, të cilët Turqia i pati cilësuar “gylenistë”.

Rreth një vit pas dëbimit të tyre me kërkesë të Turqisë, Prokuroria turke për të dyshuarit e paraburgosur kërkon dënime me burg nga 16 vjet e gjashtë muaj deri në 28 vjet e gjashtë muaj me akuzat “Drejtim i një organizate terroriste të armatosur” dhe “Spiunim ndërkombëtar”, sipas raportimeve të mediave në Turqi, shkruan sot Koha Ditore.

“Aktakuza ndaj të dyshuarve: Cihan Özkan, Kahraman Demirez, Hasan Hüseyin Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina është përgatitur nga Byroja e Terrorizmit dhe Krimeve të Organizuara e Prokurorisë Republikane të Stambollit”, thuhet në raportimin e Anadolu Agency.

Dëbimi i gjashtë shtetasve turq, në fund të muajit mars të vitit të kaluar, ka rezultuar me shkelje, të cilat janë konstatuar nga instanca të ndryshme.

Megjithatë, Prokuroria e Shtetit nuk ka avancuar në hetimin e atyre që kryen dëbimin e jashtëligjshëm. Sipas burimeve të gazetës, prokurorja e rastit nuk ka nxjerrë as aktvendim për hetimin e ndonjë zyrtari të përfshirë në këtë dëbim.

Pesë nga gjashtë shtetasit turq, të cilët u arrestuan dhe u deportuan në Turqi, punonin në institucionet shkollore “Gulistan”, ndërsa njëri ishte mjek në Spitalin Amerikan.

Gazeta e ka kontaktuar koordinatorin për media në Prokurorinë Speciale, prokurorin Sylë Hoxha, i cili ka treguar se çfarë kanë bërë deri tash në këtë rast.