20.11.2018

Prokuroria kërkon një muaj paraburgim për zv/ministrin Cena dhe dy të tjerë për marrje ryshfeti

21 Tetor 2018

Prokuroria Themelore e Prishtinës shumë shpejt pritet që të paraqesë kërkesë tek Gjykata për caktimin e masës së paraburgimit për Zëvendësministrin e Zhvillimit Rajonal, Musa Cena dhe dy personave tjerë.

Burime të Indeksonline brenda Prokurorisë bëjnë të ditur se sipas afatit ligjor prej 24 orëve do të kërkohet që ndaj të dyshuarve të shqiptohet masa e ndalimit prej një muaj paraburgimi, masë kjo me qëllim të prezencës së të dyshuarve në procedurën hetimore.

Më tej, lidhur me këtë rast të hënën pritet të mbahet seanca dëgjimore.

Cena së bashku me dy të dyshuar tjerë  janë arrestuar për veprën penale ‘keqpërdorim të detyrës zyrtare’ dhe ‘marrje të ryshfetit’ nga pala e dëmtuar.

Ndryshe, Cena zëvendësministër në ministrinë e Zhvillimit Rajonal dhe vie nga partia e kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj (AAK).