22.09.2018

Projektligji për Ushtrinë e Kosovës brenda tre muajsh shkon në Qeveri

13 Janar 2018

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është plotësisht e gatshme që të shndërrohet në Forcë të Armatosur të Kosovës (FAK).

Kështu ka deklaruar ministri i Ministrisë së Forcës dhe Sigurisë së Kosovës Rrustem Berisha, i cili ka thënë se transformimi duhet të ndodhë përmes ndryshimeve kushtetuese.

E meqë për të votuar pro ndryshimeve kushtetuese nevojiten edhe 2/3 e votave të komuniteteve jo shumicë (duke përfshirë edhe Listën Serbe e cila po vazhdon ta kundërshtojë bërjen e ushtrisë), numri një i MFSK-së ka thënë se konsensusi politik, veçmas me Listën Serbe, mbetet sfidë më vete.

Gjatë intervistës për gazetën Zëri Berisha ka bërë të ditur se MFSK-ja shumë shpejt do ta dërgojë në Qeveri Projektligjin për Ushtrinë, më së largu deri në fund të muajit prill.

Duke folur rreth faktit që Kosova tashmë po i bën 10 vjet shtet, megjithatë ende nuk e ka ushtrinë e saj, ministri Rrustem Berisha ka vlerësuar se FSK-ja është avancuar mjaft shumë përgjatë kësaj periudhe kohore./Zeri/