16.12.2018

Prishtinasve pritet t'u shtohet edhe një taksë

14 Mars 2018

Me miratimin e Ligjit për Kryeqytetin, Komunës së Prishtinës i jepet e drejta që ta zbatojë edhe një taksë të re për banorët e vet.

Kështu ka vendosur Komisioni Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media. Këtë e ka konfirmuar për “Kohën Ditore” kryetari i këtij Komisioni, Nait Hasani, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kjo taksë është përfshirë së fundmi në dokumentin e Projektligjit për kryeqytetin, por shumëçka rreth saj është lënë të definohet me akte nënligjore, nga ana e vetë Komunës.

Hasani ka sqaruar për gazetën se ata nuk e përcaktojnë se si do të zbatohet apo çfarë do të përfshijë taksa e gjelbër.

Projektligji për kryeqytetin e Kosovës-Prishtinën është paralajmëruar se do të kalojë nëpër të gjitha procedurat e nevojshme, të cilat do të përfundojnë deri më 16 mars, dhe pastaj do të dërgohet për shqyrtim të dytë në Kuvendin e Kosovës për miratim përfundimtar.