13.12.2018

Për tre muaj shtohen 2515 veteranë

17 Prill 2018

Gjatë tre muajve të fundit 2 mijë e 515 veteranë të rinj janë shtuar në listat e përfitimit të skemave pensionale këtë vit. Nga 34 mijë e 529 veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së), sa llogaritej të ishin përfitues të pensioneve të veteranëve vitin e kaluar, ky numër është rritur në 37 mijë e 44 veteranë aktualisht.

Numri i veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që janë përfitues të pensioneve gjatë tre muajve të fundit është rritur për hiç më pak se 2515.

Musa Demiri, zëdhënës për informim në Ministrinë e Punës dhe të Mirëqenies Sociale, ka konfirmuar se pensionin e veteranit të UÇK-së aktualisht e marrin 37 mijë e 44 veteranë. Por ditë më parë gazeta “Zëri” ka raportuar se në fund të vitit që lamë pas numri i veteranëve kishte qenë 34529.

“Aktualisht pensionin e veteranit të UÇK-së e marrin 37 mijë e 44 veteranë. Përafërsisht ka qenë numër i njëjtë i përfituesve edhe gjatë vitit të kaluar”, ka treguar Demiri.

Ndonëse numri i veteranëve në bazë të statistikave po vjen duke u rritur, numri i tyre që po largohet prej listave të përfitimit të këtyre pensioneve nuk po del kaq i madh.

Deri më tani nga listat e përfitimit janë larguar mbi 1 mijë përfitues, shkruan më tutje “Zëri”.

Kështu bëhet e ditur tutje në përgjigjen që MPMS-ja ka dhënë për gazetën.

“Nga fillimi i zbatimit të kësaj skeme e deri më tash nga skema janë larguar mbi 1 mijë përfitues, për shkak të kalimit në skema tjera dhe për shkak të vdekjeve të përfituesve”, thuhet tutje në përgjigjen e këtij institucioni.