21.08.2019

Për pak orë, mbi 22 mijë kosovarë hynë sot në Shqipëri

12 Gusht 2019

Fluks i madh, në hyrjen për në Shqipëri, i shtetasve kosovarë në pikën kufitare të Morinës, Kukës.

Policia e Shtetit bën me dije se prej orës 03.00 të mëngjesit kanë hyrë në Republikën e Shqipërisë, 22145 shtetas me 4058 mjete. Sakaq, policia njofton se “o kryen kontrolle me përzgjedhje dhe sipas analizës së riskut, për mjete dhe persona të dyshuar për veprimtari të kundërligjshme, që mund të përfitojnë nga fluksi”.

Njoftimi i plote i Policisë:

“Policia Kufitare në Morinë, që prej orëve të mëngjesit ka shtuar sportelet në maksimum dhe po aplikon procedurën e përshpejtuar për të përballuar fluksin e jashtëzakonshëm në hyrje.

Gjithashtu Policia Kufitare në Morinë po kryen kontrolle me përzgjedhje dhe sipas analizës së riskut, për mjete dhe persona të dyshuar për veprimtari të kundërligjshme, që mund të përfitojnë nga fluksi.

Ndërkohë, Policia Rrugore, për të parandaluar aksidentet dhe ndihmuar vargun e pandërprerë të automjeteve që lëvizin në drejtim të Lezhës dhe bregdetit tonë, ka shtuar prezencën e Policisë Rrugore në rrugën e kombit.

Për shkak se te ura e Kukësit po kryhen punime, Policia Rrugore ka vendosur shërbim fiks për të ndihmuar qarkullimin e automjeteve në të dyja kahet e lëvizjes.

Policia Rrugore apelon të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit, të mos parakalojnë karvanin e gjatë të automjeteve për shkak të fluksit të madh pasi rrezikojnë jetën e tyre dhe të përdoruesve të rrugës.

Shërbimet e Policisë Rrugore me mjetet logjistike në dispozicion po monitorojnë trafikun, jo vetëm në Rrugën e Kombit, por në të gjitha akset rrugore, me përparësi akset drejt plazheve të vendit dhe do të ndëshkojnë cilindo drejtues mjeti që do shkelë rregullat e qarkullimit rrugor”.