17.12.2018

OVL në Pejë reagon ndaj suspendimit të policëve, ish-ushtarë të UÇK-së

20 Korrik 2018

OVL UÇK në Pejë, po kërkon nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, që të mos suspendojë nga puna policët dhe oficerët e PK-së (ish Ushtar të UÇK-së), sipas propozimit të bërë nga Inspektorati i Policisë, vetëm për shkak se ata marrin pension invaliditeti të luftës.

“Ne kërkojmë që këta policë të amnistohen, të paktën deri sa Komisioni Mjekësor Invalidor i formuar në fund të vitit 2017, të rivlerësojë gjendjen e tyre shëndetësore dhe të rivlerësojë shkallën e tyre të invaliditetit”, thuhet në reagimin e OVL  UÇK, përcjell Telegrafi.

Secili invalid i luftës, përfshirë edhe ata që deri më tani gëzojnë pension Invalidor, sipas kësaj organizate, do të vlerësohet para këtij komisioni.

“…e ne jemi optimist se shumë bashkëluftëtarë, tani më janë shëruar dhe gëzojnë shëndet të mirë. Ne shpresojmë që Drejtoria e Policisë, do e pres vendimin e rivlerësimit të tyre nga Komisioni Mjekësor, para se të marrë çfarë do vendimi në lidhje me çështjen”, thuhet më tej në reagim.

Policia në Pejë ka suspenduar disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës me arsyetimin se ata marrin pension invalideti të luftës.

Ndryshe, IPK ka treguar edhe arsyen e rekomandimit të tyre që i kanë dhënë policisë lidhur me pjesëtarët në fjalë.

“Arsyeja e rekomandimit është, për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore duke ju referuar dokumentacionit të tyre që i kanë paraqitur pranë komisionit mjekësor të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Institutit të Psikiatrisë Forensike. Për shkak të dokumentacionit të tyre shëndetësor të paraqitur pranë komisionit mjekësor të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale është dëshmuar se të njëjtit kanë probleme shëndetësore të natyrës psiqike”, thotë IPK-ja.