16.10.2019

Një muaj pas ‘katastrofës humanitare’ në veri, dyqanet përplot me mallra të Serbisë

15 Gusht 2019

Meqenëse plani i serbëve të veriut dhe i shtetit të Serbisë për “katastrofë humanitare” në komunat veriore të Kosovës ka dështuar, pas vetëm dy ditësh dyqanet në atë pjesë të vendit janë stërmbushur me mallra nga Serbia.

Vuçiqi ka pranuar se furnizimi ka shkuar nëpërmes kontrabandës, ndërkaq ministri serb i Tregtisë Rasim Lajiq ka numëruar dëmet që ka pësuar shteti serb për nëntë muaj të aplikimit të taksës në importin e produkteve serbe.

Para një muaji serbët e veriut të Kosovës nëpërmes Shoqatës së Afaristëve Serbë të Veriut, kryetarëve të komunave veriore, si dhe zyrtarëve të lartë të shtetit të Serbisë janë përpjekur ta realizojnë një skenar për “katastrofë humanitare” në komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq.

Kjo është bërë në përpjekje për ta bindur bashkësinë ndërkombëtare se si pasojë e vendosjes së taksës 100% në importin e produkteve serbe serbët e veriut kanë mbetur pa artikujt elementarë të jetesës, bukë, vaj, qumësht, sheqer e artikuj të tjerë, shkruan Zëri.

Madje Shoqata e Afaristëve kishte paralajmëruar një skenar, sipas të cilit “Serbia do të sillte në veri bukë, derisa për një bukë do të shtyheshin 40 veta”.