17.10.2019

Ministria e Shëndetësisë, tender 4.4-milionësh për insulina të shtrenjta

25 Korrik 2019

Një tender prej hiç më pak se 4.4-milionësh për blerje të insulinave të shtrenjta (analoge) është shpallur nga Ministria e Shëndetësisë (MSH) para pak ditësh. Për shkak të monopolit të furnizimit, gjatë pesë vjetëve të fundit MSH-ja një insulinë të tillë e ka blerë nga 5.24 € deri në 7.8 € euro. Derisa në tenderin e shpallur më 25 qershor të këtij viti një insulinë të tillë MSH-ja ka paraparë ta blejë nga 6.64 deri në 10.46 euro, ose 34% më shumë, duke e krahasuar me tenderin paraprak, shkruan sot gazeta Zëri.

Miliona euro edhe më tutje vazhdon të shpenzojë Ministria e Shëndetësisë (MSH) për furnizim me insulina të shtrenjta (analoge), derisa shtetet e rajonit, por edhe ato të Bashkimit Evropian (BE) nëpër listat e tyre esenciale përdorin insulina humane, të cilat kanë çmim gati pesëfish më të lirë sesa insulinat, të cilat në vazhdimësi i blen Ministria e Shëndetësisë.

Gjatë një hulumtimi të gjatë, që ka realizuar gazeta “Zëri”, është gjetur se për shkak të monopolit me furnizim me këtë produkt çmimet që MSH-ja i ka paguar për këtë lloj të insulinave janë dukshëm më të larta sesa është çmimi i tyre nëpër shtete të rajonit, por edhe më larg.