21.08.2018

Ministria e Infrastrukturës e trash monopolin në homologim të automjeteve

24 Prill 2018

Ministria e Infrastrukturës i’a ka ndalur punën disa vjeçare fakultetit të Inxhinierisë Mekanikë për atestimin e veturave. Për Fakultetin një vendim i tillë është jo-ligjor dhe vlerësojnë se kjo po bëhet për të favorizuar një subjekt privat.

Qendra e Automjeteve të Kosovës do të ketë më shumë punë që nga data 20 prill e këtij viti. Do t’i kenë të garantuara edhe rreth 300 mijë euro qarkullim nga ‘A-testimi”, përveç të hyrave të garantuara nga homologimi i automjeteve.

Pa konkurs, Ministria e Infrastrukturës e ka autorizuar këtë biznes për të bërë edhe “Atestimin e automjeteve”, që tash me ligjin e ri do të quhet ‘Homologimi individual të mjeteve rrugore që importohen si dhe atyre të riparuara, përpunuara dhe të përmirësuara’.

Para se të autorizojë QAK-un për homologim individual, Ministria e Infrastrukturës ia ka shkëputur marrëveshjen për “A-Testimin e veturave” Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike.

Kështu, të hyrat e kompanisë “EuroLab” që operon me Qendrën e Automjeteve të Kosovës do të jenë më të larta, pasi do të jetë e vetmja kompani e autorizuar për të bërë këtë çështje.

Marrëveshja e ndërprerë ishte arritur në vitin 2006 nga Ministria e Transportit dhe Telekomunikacionit të Kosovës, që tani njihet si Ministria e Infrastrukturës.

Mirëpo, Fakulteti Teknik këtë veprimtari e ka kryer që nga viti 1985, përveç gjatë viteve 1991 – 1999 kur institucionet e atëhershme i kishin larguar nga puna.

Lajmin për shkëputjen e kësaj marrëveshjeje i ishte kumtuar dekanit të Fakultetit, Ahmet Shalës, nga ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.

KALLXO.com kishte pranuar informacione se QAK-u nuk po i pranon dokumentet e lëshuara nga Fakultetit Teknik ende pa u shkëputur marrëveshja. Kur KALLXO.com ka nisur hulumtimin, në Ministrinë e Infrastrukturës kanë thënë se marrëveshja nuk është ndërprerë. Por, kjo kishte ndërruar më të hyrë në fuqi të udhëzimit administrativë që derivon nga Ligji për Automjetet.

Duke u thirrur në Ligjin për Automjete të miratuar vitin e kaluar si dhe në një udhëzim administrativ të nxjerrë së fundmi, Ministria e ka shkëputur marrëveshjen e bashkëpunimit me Fakultetin.

“Rrjedhimisht, Marrëveshja e dt. 13.11.2006, për atestimin e automjeteve rrugore në mes ish-MTPT-së dhe Rektoratit të Prishtinës, Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, konsiderohet e ndërprerë me hyrjen në fuqi të këtij Udhëzimi Administrativ”, thuhet në letrën e kabinetit të Ministrit drejtuar dekanit të këtij Fakulteti.

Në po këtë letër, kabineti i ministrit sqaron se Ligji për Automjete e ka larguar shprehjen “atestimi” dhe të gjitha veprimtaritë e kësaj natyre tash e tutje do t’i quajë homologime.

E homologimi i veturave në Kosovë është monopol pasi që këto i kryen vetëm një kompani, “EuroLab”. E njëjta është autorizuar edhe për këtë pjesë të homologimit që deri më tani e ka bërë Fakulteti Teknik.

“Në bazë të nenit 22 të këtij Udhëzimi Administrativ është përcaktuar se të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë nga fusha e homologimit të automjeteve rrugore do të ushtrohen nga subjekti i autorizuar për homologim nga Ministria e Infrastrukturës, ish- MTPT”, thuhet në shkresën e Lekajt.

Pas këtij lajmi ka reaguar Fakultetit i Inxhinierisë Mekanike.

“Ministria e Infrastrukturës, ia ndërpret njëanshëm Autorizimin Nr. 44 dt. 14.11.2011 për Atestime (Homologim individual te mjeteve) Universitetit të Prishtinës / Fakultetit te Inxhinierisë Mekanike / Institutit te Inxhinierisë Mekanike dhe ja dhuron në mënyrë joligjore subjektit privat të autorizuar për homologim”, thuhet në reagimin e Fakultetit.

Në një intervistë dhënë për KALLXO.com, dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Ahmet Shala ka thënë që nga kjo marrëveshje janë fituar mesatarisht deri në 300 mijë euro në vit.

“Të hyrat, me i llogarit prej vitit 1999 e deri më tash, me nxjerrë një mesatare dalin diku 250 mijë deri 300 mijë euro në vit”, ka thënë dekani i këtij Fakulteti.

Sipas tij, 40% të këtyre parave të mbledhura kanë shkuar në buxhetin e përbashkët të Universitetit të Prishtinës, 10% për buxhetin e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe 50 % kanë shkuar për stafin që kryen këtë veprimtari.

Në një intervistë dhënë pak ditë më herët nga këshilltari i ministrit të Infrastrukturës, Eset Berisha pati deklaruar se asnjëra palë, në këtë rast as Ministria e as Fakulteti nuk kanë paraqitur ankesë, andaj kjo marrëveshje vazhdon të jetë në funksion. Mirëpo pak ditë më vonë kjo marrëveshje u shkëput.

Atestimi nënkupton kontrollimin teknik të veturave të cilat kanë pësuar ndryshime nga forma kur kanë dalë në treg.

Nëse një veturë ka ndërruar anën e timonit apo ngjyrën e veturës, atëherë kontrollin teknik apo atestimin e ka kryer Fakulteti deri më 20 prill të këtij viti kur u vendos që të shkëputet kjo marrëveshje.