24.04.2019

Ministria e Arsimit propozon reduktimin e numrit të universiteteve publike

10 Shkurt 2019

Raporti i grupit punues për profilizimin e universiteteve publike në vend, tashmë është në Komisionin Parlamentar për Arsim si dhe i është dorëzuar Qeverisë.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka bërë të ditur për Radio Kosovën se në këtë raport janë paraqitur dy propozime: njëri ka të bëjë me profilizimin e universiteteve publike dhe i dyti që ato të shndërrohen në dy universitete.

Grupi punues i formuar nga Ministria e Arsimit, i cili është marrë me propozimet konkrete për profilizimin e universiteteve publike, ka dorëzuar raportin në Qeveri dhe në Komisionin Parlamentar për Arsim.

Bytyqi ka thënë se vendimin se si do të funksionojnë universitetet duhet ta marrë Kuvendi dhe Qeveria. Ai bëri të ditur se në këtë raport janë paraqitur dy propozime.

“Në këtë raport janë dhënë dy rekomandime, i pari ka të bëjë me atë që mund të reduktohen universitetet në dy publike dhe të mbesin kampuse pjesë të tjera që sot aktualisht janë universitete, me qëllimin e vetëm që të jetë cilësia në nivel më të lartë. Mos të bëhen konkurrentë të programeve që nuk janë kërkesë e tregut të punës. E dyta ka të bëjë me profilizimin e tyre, që secilit universitet iu kanë përzgjedhur profilet e nevojshme dhe që janë kërkesë e tregut të punës”, tha Bytyqi.

Ndërkohë, ekspertët thonë se raporti për profilizimin e universiteteve nuk është publikuar ende. Njohësi i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, tha për Radio Kosovën se gjithsesi një zgjidhje për këto universitete duhet të gjendet, pasi, siç tha, nuk mund të mbajnë atë numër të programeve që e kanë.

“Në radhë të parë, për shkak të mungesës së stafit akademik të kualifikuar. Vetëm në institucionet publike kemi pesë fakultete juridike e pesë ekonomike, ndërkohë numri i juristëve dhe ekonomistëve të papunë është shumë i madh. Kjo i jep të drejtë atyre që duan ta rishqyrtojnë këtë situatë. Duhet vërtet të shihet se cili universitet çfarë profile mund të ofrojë.

Ndërkohë, Konferenca e Rektorëve ka reaguar lidhur me këto zhvillime, duke theksuar se Ministria e Arsimit ka penguar zhvillimin e universiteteve publike, duke mos proceduar në Kuvend statutet e tyre për miratim.

Sipas Konferencës së Rektorëve, Ministria ka për qëllim mbylljen e universiteteve publike.