20.11.2018

Ministri i ri i Punëve të Brendshme me aktakuzë për aksident me lëndime të rënda

9 Nëntor 2018

Çuditë në vendin tonë nuk kanë mbarim. Posaçërisht në institucionet shtetërore. Kur mendon që është prekur fundi, vjen një lajm që të demanton. Kështu, armatës së ministrave të qeverisë së Kosovës që kanë aktakuza i është bashkuar edhe ministri më i ri i saj, ai i Punëve të Brendshme, për emërimin e të cilit kishte festuar Ferizaji. Vetë Ekrem Mustafa thotë që i është i pafajshëm dhe se një pjesë e ekspertizës së këtij aksidenti i është montuar.

Emërimi i Ekrem Mustafës në pozitën e ministrit të Punëve të Brendshme ishte shndërruar në një festë të vogël për qytetarët e Ferizajt, dhe në një gallatë të madhe për pjesën tjetër të Kosovës.

Kjo ishte ndoshta hera e parë në historinë politike të Kosovës, që një deputet, në këtë rast Labinot Tahiri, kishte arritur që qeverisë t'ia impononte një ministër, veç pse ai ishte nga Ferizaji, e që sipas Labit ky qytet duhej ta kishte një të tillë. Kualifikimet profesionale në këtë rast ishin triviale. E si duket askush nuk e kishte pyetur as nëse kishte problem me ligjin.

Nënkryetari i degës së AKR-së në qytetin e Ferizajt, Ekrem Mustafa, para tri javësh u emërua në postin e ministrit të Punëve të Brendshme, por i njëjti ndodhet në një proces gjyqësor. Ai është i ngarkuar me një aktakuzë për veprën penale “rrezikimi i trafikut publik”. Këtë për Gazetën Express e ka konfirmuar Gjykata Themelore e Ferizajt.

“Ju njoftoj se i pandehuri si në kërkesën tuaj akuzohet sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj të evidentuar si: PP/II.nr.1075-4/14 të datë 21.03.2017, për shkak të veprës penale rrezikimi i trafikut publik nga neni 378 paragrafi 8 lidhur me paragrafin 6 dhe 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjjen e Gjykatës për Gazetën Express.  Seanca gjyqësore në këtë rast është caktuar të mbahet gjatë muajit dhjetor 2018.

Gazeta Express ka siguruar pjesë nga aktakuza me të cilën ngarkohet ministri aktual i MPB-së, Ekrem Mustafa.

Aty thuhet se para katër vitesh, në vitin 2014, Mustafa nga pakujdesia ka rrezikuar trafikun publik dhe jetën e njerëzve. Rasti kishte ndodhur në magjistralen Ferizaj-Prishtinë, konkretisht në fshatin Prelez. Lëndime trupore të rënda sipas aktakuzës kanë pësuar dy persona, ndërsa një tjetër lëndime më të lehta. Po ashtu janë shkaktuar edhe dëme materiale të veturave të përfshira në aksident.


Ekrem Mustafa, është Ministri i ri i Punëve të Brendshme në Kosovë. Emërimi i tij u bë në gjysmë të muajit tetor, nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Mustafa zëvendëson në këtë detyrë ish-ministrin e MPB-së, Bejtush Gashi, i cili u shkarkua një ditë para se ai të emërohet ministër.

Ekrem Mustafa, me profesion mjek, është nënkryetar i degës së AKR-së në qytetin e Ferizajt. Ai në vitin 2014 ka qenë edhe kandidat për deputet.

Ky dikaster i Qeverisë së Kosovës i takon Aleancës për Kosovë të Re (AKR), parti e cila për një periudhë prej 6 muajsh ka ndërruar tre ministra, duke filluar me Flamur Sefajn, Bejtush Gashin dhe për ta zyrtarizuar në fund Ekrem Mustafën.

Ndërsa, Qeveria Haradinaj me Ekrem Mustafën ka shtatë ministra me aktakuza në përbërje të saj.

Endrit Shala u emërua ministër i Tregtisë dhe Industrisë, i cili po ashtu ngarkohet me një aktakuzë.

Janë edhe 5 zyrtarë të tjerë të lartë qeveritar me aktakuza, nisur nga zv.kryeministri Dardan Gashi, ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, ministri i FSK-së Rrustem Berisha dhe ministri i Inovacionit Besim Beqaj dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka. Ky i fundit është shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Express ka kontaktuar edhe me Ekrem Mustafën. Ai tha se në proceset e mëparshme gjyqësore fajtor ka dalë automjeti tjetër por sipas tij nga ekspertiza e bërë nga pala e përfshirë në këtë aksident ka pas interferime.

“Kur pala ka bo ekspertizë ka pas interferime s’jam interesu m’kan qit fajtor. Unë kom bo kërkesë, automjeti e ka humb drejtimin që ka qenë 150km në orë- automjetin që mka godit. Kam qenë i ndalun në parking edhe sipas dëshmitarëve okularë ai ka tejkalu në kolonë. Ai e ka lëshu rrugën edhe më ka godit në rrugë edhe unë kam dalë ja kam dhanë ndihmën”, tha Mustafa.

Ai tha se do të marrë pjesë në seancën gjyqësore që pritet të mbahet në dhjetor. Pohoi se është i pafajshëm.

“Kundërvajtjet shkaktohen edhe te personat që s’janë fajtor. Nëse dalë fajtor do të kërkojë superekspertizë të pavaruar. Le ta caktojnë ekspertin edhe ta vërtetojnë kush ka qenë fajtor”, përfundoi Ministri